Është i rrallë në koncerte e fort i dëshirueshëm prej publikut. Ka nja dhjetë vjet që nuk ka dalë me koncert të tillë solistik. Por Armend Rexhepagiqi e ka thyer akullin, në hapjen e Festivalit të Gastronomisë. Për më shumë se një orë hitet i këndoi njëzëri me publikun
Në një prej këngëve të tij e këndon vargun: “Krejt çka dua, tjetër kujt i ndodh”. Në mbrëmjen e së enjtes ndodhi krejt çka deshën shumë fansa të këngëtarit ikonik, Armend Rexhepagiqi. Me koncertin e tij u shënua hapja e “Prishtina Gastronomy Festival”. Ishte një natë për t'u mbajtur mend e që fansat e kishin pritur prej vitesh. Këngëtari, vetëm emri i të cilit mjafton për të dërguar emocione te shumë dashamirë të muzikës, bëri një rikthim triumfues pas një mungese të gjatë me koncert solistik.
Në sheshin “Adem Jashari” ka qenë një atmosferë pritjeje dhe nostalgjie. Ende pa filluar nata u bë e qartë se ky nuk ishte koncert i zakonshëm. Ishte një moment i rëndësishëm për adhuruesit e Rexhepagiqit.
Koha e pandemisë qe hera e fundit kur ai mbajti koncert, por jo para publikut. E me një program të ngjashëm, me atë të para dy vjetëve, u paraqit me koncertin para një publiku të gjerë.
Producenti muzikor i koncertit Florent Boshnjaku ka thënë se është punuar shumë që të arrihet rezultati final.
“Kemi punuar njësoj si për koncertin që është mbajtur në kohë pandemie në ‘Klan Arena’ si producent muzikor i atij koncerti. Jemi munduar të njëjtin program pak a shumë me e sjellë edhe në koncertin e së enjtes me Armendin në kuadër të Festivalit”, ka thënë Boshnjaku për KOHËN.
Koncerti nisi me performancën shpërthyese të hitit “Shkel”, që ua kujtoi fansave që në tingujt e parë se përse kishin rënë në dashuri me muzikën e tij.

Boshnjaku ka thënë se me koncertin solistik është vulosur një gjurmë goxha e madhe në karrierën e Rexhepagiqit.
“Kësaj here edhe personalisht kam dalë në skenë edhe pse zakonisht nuk e bëj këtë, por megjithatë ajo energji ka qenë fantastike. Më të vërtetë ka qenë kënaqësi me qenë me Armendin në skenë. Gjithsesi mua më bën të lumtur e edhe më tepër që kam qenë pjesë e krejt kësaj dhe normalisht që edhe në cilësinë e producentit, por edhe në pjesëmarrje”, ka thënë Boshnjaku.
Boshnjaku në sint, Valon Gashi në kitarë, Ardian Bakalli në bateri, Toni Zhubi në bas, Ilir Bajri në piano, me zërat përcjellës Elona Sadiku dhe Andra Rexhepi, kanë qenë ekipi në skenë. Vetë kryepersonazhi i mbrëmjes ka ikur shpejt nga skena. Por krejt koncerti ishte një moment i fuqishëm emocioni kolektiv, një festë e shenjës së pashlyeshme të artistit në botën e muzikës.
“Edhe njëherë”, “Dashurinë ku e kam?”, “Kam kojshiken” e “Dudije”, ishin vetëm disa prej këngëve që jehuan njëzëri me publikun që u bë bashkë në një mozaik nostalgjie, dashurie, dhimbjeje e shprese.
Poeti Arbër Selmani gjatë tërë mbrëmjes këndoi tok me të dhe e ka vlerësuar si artist superior.
“Jam fans i çmendur i Armendit. Edhe në librin tim e kam një intervistë me Armendin, edhe sot secilën këngë e kemi kënduar bashkë me të, me modestinë e tij. Është legjendë, është shkollë, për mua është institucion Armendi, për këtë e kam shkarkuar tërë atë eufori edhe ia kalova tepër mirë dhe është koncerti im i parë me Armendin, mirëpo si një gjeneratë e viteve ’90, që jemi rritur me këngët e tij, mund të them se e ka dhënë vetëm një për qind të krijimtarisë së tij dhe asaj çka Armendi mundet të dhurojë”, ka thënë Selmani.
Ajo që e bëri edhe më të jashtëzakonshëm koncertin ishte lidhja e thellë midis këngëtarit dhe publikut. Rexhepagiqi ndau anekdota personale ndërmjet këngëve dhe vazhdimisht shprehte mirënjohjen për secilin të pranishëm.
Selmani i ka veçuar dy prej këngëve të tij, ndër to edhe “Betohem në këngë”, e cila nuk ishte pjesë e programit të koncertit të së enjtes mbrëma.
“Mua më pëlqejnë të gjitha këngët e Armendit. Dy më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë: ‘Edhe një herë’ që sonte e performoi siç po vërehet më është shterur zëri dhe ‘Betohem në këngë’ që nuk e ka kënduar sonte, por kënga ‘Edhe njëherë’ mendoj që është kulmi artistik i bagazhit muzikor të Armendit dhe Aidës (Barakut v.j.) të mos harrojmë”, ka thënë Selmani.
Pjesë e publikut që ka kënduar në kor me Rexhepagiqin ka qenë edhe Agnesa Qerimi, e cila ka thënë se një koncert nga këngëtari i njohur e kishte pritur gjatë.
“Edhe në ëndrra e kam parë duke më kënduar në ditëlindje. Ishte një mbrëmje e mrekullueshme për neve, po vërehet edhe nga zëri që jemi shterur dhe e kemi shijuar jashtëzakonisht shumë. Është idhulli i të gjithë neve që kemi qenë këtu sonte”, ka thënë Qerimi,
Festivali i Gastronomisë ka vazhduar mbrëmjen e së premtes me Sinan Vllasaliun me këngë të viteve ’90 nga albumi “Plagët e Lirisë”. Deri në natën e fundit të Festivalit, më 27 korrik, pjesë e programit janë artistë të shumtë, si Marsela Çibukaj, Dren Abazi, Edi Furra, Jericho e të tjerë.
Agnesa Qorri, zyrtare për komunikim me publikun në Festival, ka treguar për punën para organizimit të koncertit.
“Është një punë shumë e madhe që është bërë prapa këtij organizimi. Ka qenë goxha punë ta bindim që të kthehet në skenë, ndërsa për neve ka qenë nder që Armend Rexhepagiqi ta pranojë ftesën dhe të rikthehet pas më shumë se një dekade. Në fakt ka mbajtur një koncert gjatë pandemisë, por ai ka qenë pa publik, ndërsa kjo është hera e parë pas më shumë se një dekade që po rikthehet para publikut. Ka qenë punë e madhe dhe po shpresojmë që publiku të jetë i kënaqur. Biletat janë shitur në tërësi, edhe pse e kemi pasur në plan që edhe te hyrja të ofrojmë bileta, por nuk kemi mundur, meqenëse është mbushur numri”, ka thënë Qorri.
Ndërsa nata e parë e Festivalit u përmbyll duke e lënë gati secilin që mori pjesë në koncert me një ndjenjë përmbushjeje, duke e realizuar kështu edhe një prej qëllimeve me të cilin organizohet “Prishtina Gastronomy Festival”.