Kulturë

“Dashni e vjetër” vulos këngën dhe duartrokitjet ndër vite për Armend Rexhepagiqin

Imazhi i skenës dhe krejt hapësirës ka qenë i ngjashëm me atë të festivaleve të mëdha muzikore që organizohen në kryeqytet.

Imazhi i skenës dhe krejt hapësirës ka qenë i ngjashëm me atë të festivaleve të mëdha muzikore që organizohen në kryeqytet. Dalja e Armend Rexhepagiqit në skenë ka qenë spektakël më vete dhe i tillë është dëshmuar koncerti në përgjithësi (Foto: Komuna e Prishtinës)

“A po e vulosim këngën, dashurinë tonë ndër vite, apo jo? Besoj se e meritoj dashurinë e juaj”, ka qenë njëra prej pyetjeve të Armend Rexhepagiqit në koncertin “Dashni e vjetër”, titull edhe i albumit të tij. Përgjigjen ia ka dhënë publiku, të cilit ia ka rikthyer edhe “dashurinë e vjetër” e në skenë ka vulosur këngët, hitet e mbi të gjitha madhështinë e tij. “Çdo ditë lajme të rënda dhe arti ka një mision: që ta përçojmë lirinë secili nga ne, një apel për paqe në tërë botën me një duartrokitje. Bota ka nevojë për mirësi”, ka thënë ai. E, duartrokitjet për të kanë qenë të pandalshme. Sikur janë bërë bashkë krejt ato që publiku ka dashur t’ia dhuronte ndër vite

Këngët e hershme të Armend Rexhepagiqit janë dëshmuar si margaritarë e hite që i rezistojnë çdo revolucioni të skenës muzikore shqiptare. Më të fundit në repertorin e tij, si test për besnikërinë e publikut që e këndon çdo varg të këngës. Poetika e perlave të tij ka qenë sinkroni me publikun dhe kjo e unifikon kantautorin. Koncerti madhështor si spektakël të shtunën mbrëma kanë qenë udhëpërshkrim e vizion i karrierës së tij prej gati gjysmëshekulli në skenën muzikore. “Dashni e vjetër” është pagëzuar koncerti, njësoj sikurse titulli i albumit më të ri të tij. Është i nënti në karrierën e tij. 

“Shkel” – e kënduar në një platformë që ngrihet nja dhjetë metra mbi skenë – e “Dashurinë ku e kam” janë himnet e tij që ia ka dhuruar publikut. E madhe ka qenë jehona e dashurisë për këngën e Rexhepagiqit. Mënyra më e duhur për ta shprehur ka qenë harmonia e publikut në këngë me kantautorin. Zërat e bashkuar si kor shpesh e kanë zbehur zërin e fuqishëm të artistit në skenë e kjo, siç ka thënë Rexhepagiqi, e bën krenar dhe të ndihet i obliguar për të punuar edhe më fort. 

Një orë para nisjes së koncertit, radha e publikut ka qenë me qindra metra te hyrja. Në të njëjtën kohë hapësira e parkingut prapa Pallatit të Rinisë, që ka qenë lokacioni i ngjarjes, veçse ka qenë e mbushur. Shifrat jozyrtare janë rreth pesë mijë veta në publik.

Rexhepagiqi ka kohë që është tërhequr nga aktiviteti në skenë. Koncerti në korrikun e para dy vjetëve ka qenë një test se publiku ka kohë që e pret. E, koncerti i radhës konfirmim (Foto: Komuna e Prishtinës)

"Prishtina ime, zemra ime!”

Imazhi i skenës dhe krejt hapësirës ka qenë i ngjashëm me atë të festivaleve të mëdha muzikore që organizohen në kryeqytet. Hyrja e Rexhepagiqit në skenë ka qenë spektakël më vete dhe i tillë është dëshmuar koncerti në përgjithësi. Rexhepagiqi ka kohë që është tërhequr nga aktiviteti në skenë. Koncerti në korrikun e para dy vjetëve ka qenë një test se publiku ka kohë që e pret. E, koncerti i radhës konfirmim. 

Para prezencës fizike të tij në skenë ka qenë vizualisht me imazhe në ekranet gjigande në të dyja anët e skenës me pamje arkivore të koncerteve e performancave të tij ndër vite. Janë jeta artistike e Rexhepagiqit, zëri karakteristik e gjithë emocioni i tij, të cilin e transmeton në interpretim e këngët që krijon. Është origjinaliteti i tij me të cilin e ka pasuruar skenën muzikore. 

Përgjatë karrierës së tij Rexhepagiqi është dëshmuar kaherë për cilësitë artistike. Rrugëtimin e vazhdoi edhe në kohëra ku krijimtaria artistike ndalohej. 

Në vitin 1990 e përfaqësoi Kosovën në “Jugovizion” dhe më pas kënga e tij në gjuhën shqipe me titull

“Mami, mami” u zgjodh si kënga kombëtare që do të përfaqësonte Jugosllavinë në garën evropiane të këngës “Eurovizion”. Në vitin 2006 doli fitues në festivalin “Kënga magjike” me këngën “Kur dashuria vdes”, si dhe u vlerësua me çmimin e kantautorit më të mirë. Po atë vit fitoi edhe në videofestivalin “Video Festi Muzikor” me një prej këngëve më ikonike të tij –  “Shkel”. 

Krejt këto suksese të tij kurorëzohen me dashurinë e publikut ndaj këngës së tij. Takimin e parë me ta të shtunën e ka paraprirë sekuenca dramatike me lojë dritash e vargje të këngës “Dashurinë ku e kam”. 

E para këngë që e ka interpretuar ka qenë “Dashni e vjetër” nga albumi me të njëjtin titull, i lansuar në platformat muzikore më 4 qershor të këtij viti. Ajo çfarë e veçon këtë album dhe nuk është fare befasi, bazuar në opusin e Rexhepagiqit janë poetika, muzika kryesisht harmonike, zgjatime të vokalit e sekuenca shpërthyese. Njihet për stilin e tij avangardë, andaj prej këngëve të këtij albumi, si “Kutia e zezë” e “Dyfish ma pak” përfshihen edhe ritmet e muzikës elektronike. 

Nga ky album ka kënduar edhe këngët “Boll m’ke dalë”, “S’o dashni”, “Ma ke n’alë” dhe “Krejt Prishtinën për ditëlindje”. Pjesa dërrmuese e publikut e di çdo fjalë të këtyre këngëve dhe kjo është dëshmia e admirimit të krijimtarisë së autorit. 

Para prezencës fizike të tij në skenë ka qenë vizualisht me imazhe në ekranet gjigande në të dyja anët e skenës me pamje arkivore të koncerteve e performancave të tij ndër vite (Foto: Presidenca e Kosovës)

Midis performancave i është rrëfyer shpesh masës. Ka kujtuar momente e paragjykime përgjatë karrierës. 

“Prishtina ime, zemra ime! Dashuritë e mia ndër vite. Jemi dashtë, jemi kuptu, kemi këndu së bashku. Më thoshin ‘çka po këndon, çka po merresh me atë muzikë, çka po mundohesh, a nuk po e sheh që njerëzit nuk po kanë qejf? A kemi ndonjë fans me u thanë: ajde dost me pa!”, është shprehur Rexhepagiqi para se publiku t’i përgjigjet me brohoritje e duartrokitje. 

“A po e vulosim këngën dashurinë tonë ndër vite, apo jo? Besoj se e meritoj dashurinë e juaj”, ka vazhduar ai në skenë.

Tingujt e mirësisë në botën e trazuar

Krejt të pranishmit në skenë si vokalistët, dirigjenti e orkestra kanë qenë të veshur në të zeza, me bluzat që mbajnë simbolin e paqes me ngjyrë të bardhë. Prej aty Rexhepagiqi ka përcjellë mesazhe paqeje. 

“Çdo ditë lajme të rënda dhe arti ka një mision: që ta përçojmë lirinë secili nga ne një apel për paqe në tërë botën me një duartrokitje. Bota ka nevojë për mirësi”, është shprehur ai. 

E këngës së radhës në koncert, “A don hala” me tekst të Aida Barakut dhe muzikë nga ai, i është referuar si këngë të shpirtit të tij. Nga aty e ka vlerësuar krijimtarinë e kompozitores Baraku, bashkëshortes së tij. 

“Me tekstet e saj, me vargjet e saj, me këngën, poezinë e saj, muzika jonë ka fituar ndjeshmërinë, thellësinë, emocion, mençuri”, është shprehur Armend Rexhepagiqi. 

Janë jeta artistike e Rexhepagiqit, zëri karakteristik e gjithë emocioni i tij të cilin e transmeton në interpretim e këngët që krijon. Është origjinaliteti i tij me të cilin e ka pasuruar skenën muzikore (Foto: Presidenca e Kosovës)

E ka kënduar edhe “Ti nuk më meriton” të vitit 1997 e “Bileta” e 2007-s e kompozuar nga ai. Muzika e tij është pjesë e shumë këngëve të njohura të artistëve të ndryshëm vendorë. Balada “Tavolina e mërzisë” e 2019-s ka sjellë poetikën e vargjeve të Barakut e ritmet e lehta të shkruara nga ai. 

Skena ka qenë edhe hapësirë prej ku ka shprehur mirënjohjen e thellë ndaj publikut e emocionet e forta që përcillen edhe me lot. Ka falënderuar edhe përkrahësit e koncertit, midis tyre Komunën e Prishtinës. Ka thënë se për herë të parë në karrierë ndihet i përkrahur. 

“Është hera e parë që ndihem i përkrahur nga qyteti dhe shteti im”, është shprehur Rexhepagiqi. 
Muzika jo e ngarkuar e thekson artin e tij me vokal. Për këngën “Edhe një herë” përcillet vetëm me tinguj pianoje nga Edon Ramadani, i cili ka qenë zgjedhja e përkryer për këtë koncert. 

“Secilën herë që e këndoj këtë këngë ua dedikoj atyre që kanë dashur shumë dhe atyre që e kanë humbur dikë të dashur. I ftoj të ngritin duart të gjithë dhe t’ua dedikojmë këngën atyre”, është shprehur i kapluar nga emocionet. 

Ka kënduar edhe hitet e tij “Me kilometra”, “Dudije”, “Harrova” dhe sërish, këngën e tij të re “Dashni e vjetër”. Repertorin e ka zgjatur për publikun duke interpretuar sërish “Dashurinë ku e kam”. 
Mysafirja e parë e koncertit ka qenë kantautorja Filloreta Raçi e njohur në skenë si Fifi. 

“E kam manifestuar këtë koncert në mënyrë të jashtëzakonshme. Kam pasur koncert sot dhe e kam shtyrë për një ditë tjetër vetëm për të qenë sot këtu në Prishtinë dhe për ta nderuar Armend Rexhepagiqin. Ai dhe Aida Baraku janë dy kompozitorët dhe tekstshkruesit e mi të preferuar, të shpirtit”, ka thënë ajo në skenë. 

Ka interpretuar këngët e saj “Lali” dhe baladën “Marova mas teje”. 

Mysafirja tjetër ka qenë kantautorja Ronela Hajati. Ka kënduar këngët “Vuj” të 2018-s me të cilën mori pjesë në festivalin “Kënga magjike” më 2018 dhe “Sekret” me të cilën përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovizion” më 2022. 

“Faleminderit për gjithë frymëzimin që u ke dhënë brezave dhe mua. Gjëja më e rëndësishme është që të mos harrohesh asnjëherë”, i ka thënë ajo Rexhepagiqit.

Një tregues për madhështinë si krijues

Skenografja e artistja Shqipe Kamberi është shprehur se koncerti ka qenë tregues për madhështinë e Armend Rexhepagiqit si krijues. 

“Jam rrit me këngën e Armendit, e kam mik shumë të dashur gjithashtu. Sonte na dha një performancë, po atë që e pritëm. Prapë e tregoi madhështinë e tij. Është një ikonë e muzikës sonë dhe na bën krenarë, na lumturon që e kemi një muzikant të tillë”, është shprehur ajo për KOHËN. 

E artisti Adrian Berisha e konsideron Rexhepagiqin si prej artistëve më të rëndësishëm të shoqërisë. 

“Nëse e mendon një artist të viteve ’80, mendoj se në top-pesë artistët tanë është edhe Armend Rexhepagiqi. Koncerti ishte i mirë, u kënaqa shumë, organizimi ishte në nivel të jashtëzakonshëm, por çfarë më bëri shumë përshtypje, ishte performanca e Armendit. Është i jashtëzakonshëm në çdo aspekt. Të arrish të kesh një energjie të tillë me publikun, tregon se sa artist është ai”, ka thënë Berisha për KOHËN. 

Është shprehur se kënga e tij buron nga shpirti dhe kjo krijimtari, sipas tij, i mbijeton kohës. 

“Armendi krijon këngë që janë kualitative e jo kuantitative. Janë këngë që i mbijetojnë kohës, janë ‘evergreen’ dhe mbesin përgjithmonë në mendjen tonë dhe dëshirojmë t’i dëgjojmë shpesh. Të gjitha këto që i bën Armendi besoj që vijnë prej shpirtit të tij dhe gjithçka që vjen nga shpirti në aspektin artistik mendoj se u mbijeton të gjitha kohërave”, ka thënë Berisha. 

“Shkel” – e kënduar në një platformë që ngrihet nja dhjetë metra mbi skenë – e “Dashurinë ku e kam” janë himnet e tij që ia ka dhuruar publikut (Foto: Komuna e Prishtinës)

Para performancës së Armend Rexhepagiqit ka lëshuar hite vendore e botërore. Përzgjedhja, sipas Berishës, i njohur në skenë si DJ Gamble, është menduar si përshtatje me kryeprotagonistin e së shtunës. 

“Në përgjithësi m’u duk koncert jashtëzakonisht i mirë. Unë pata kënaqësinë të luaja muzikë para interpretimit të Armendit dhe i selektova disa këngë që ndërlidhen me mënyrën se si ai gjithmonë ka qenë një lloj personi disident dhe jashtë rregullave të tij. Ishte shumë kënaqësi gjithashtu ta përjetoj koncertin, pos të bëj këngë”, ka thënë DJ Gamble. 

Në këtë repertor është dëgjuar edhe kënga “Nuk të harroj” e kantautores së ndjerë, Violeta Rexhepagiqi. Ka qenë si homazh e nderim për artisten avangarde, motrën e Armend Rexhepagiqit. 

“Si adhurues i muzikës së Armendit, gjithsesi jam edhe adhurues i Violetës dhe gjeneratës së ‘synth-pop-it’ kosovar të viteve ’80 e ’90. Definitivisht që Violeta Rexhepagiqi pos që ka luajtur rol të madh te vëllai i saj Armendi, ka qenë edhe një prej artisteve më të rëndësishme që i kemi pasur në shoqëri dhe ishte një lloj dëshire e imja, pa e diskutuar me Armendin, që ta luaj këngën ‘Nuk të harroj’ dhe ishte një lloj dedikimi për Armendin që ai nuk e harron, por nuk e harrojmë as ne”, është shprehur Adrian Berisha. 

Koncerti i Armend Rexhepagiqit ka qenë udhëpërshkrim jo vetëm i karrierës së tij, por edhe i historisë së muzikës argëtuese në vend. Janë dëshmuar si margaritarë e perla të çmuara që i rezistojnë kohës.  

© KOHA Ditore


Lexo edhe: