EXPRESS

Armend Rexhepagiqi i shumëpritur, me koncert të paharruar

Në një prej këngëve të tij e këndon vargun: “krejt çka dua, tjetër kujt i ndodh”. Në mbrëmjen e së enjtes ndodhi krejt çka deshën shumë fansa të këngëtarit ikonik, Armend Rexhepagiqi. Me koncertin e tij u shënua hapja e “Prishtina Gastronomy Festival”. Ishte një natë për t'u mbajtur mend e që fansat e kishin pritur prej vitesh. Këngëtari, vetëm emri i të cilit mjafton për të dërguar emocione te shumë dashamirë të muzikës, bëri një rikthim triumfues pas një mungese të gjatë me koncert solistik.

Në sheshin “Adem Jashari” ka qenë një atmosferë pritjeje dhe nostalgjie. Ende pa filluar nata u bë e qartë se ky nuk ishte koncert i zakonshëm. Ishte një moment i rëndësishëm për adhuruesit e Armend Rexhepagiqit.

Pritja arriti kulmin teksa anëtarët e grupit zunë pozicionet e tyre. Më pas Rexhepagiqi u ngjit në skenë dhe turma shpërtheu në duartrokitje e brohoritje. Koncerti nisi me performancën shpërthyese të hitit “Shkel”, që ua kujtoi fansave që në tingujt e parë se përse kishin rënë në dashuri me muzikën e tij.

Agnesa Qorri, zyrtare për komunikim me publikun në Festival, ka treguar për punën para organizimit të koncertit.

“Është një punë shumë e madhe që është bërë prapa këtij organizimi. Ka qenë goxha punë ta bindim që të kthehet në skenë ndërsa për neve ka qenë nder që Armend Rexhepagiqi ta pranojë ftesën dhe të rikthehet pas më shumë se një dekade. Në fakt ka mbajtur një koncert gjatë pandemisë por ai ka qenë pa publik ndërsa kjo është hera e parë pas më shumë se një dekade që po rikthehet para publikut. Ka qenë punë e madhe dhe po shpresojmë që publiku të jetë i kënaqur. Biletat janë shitur në tërësi edhe pse e kemi pasur në plan që edhe tek hyrja të ofrojmë bileta por nuk kemi mundur meqenëse është mbushur numri”.

“Edhe njëherë”, “Dashurinë ku e kam?”, “Kam kojshiken” e “Dudije”, ishin vetëm disa prej këngëve që jehuan njëzëri me publikun. Secila prej tyre mbartte një emocion unik dhe me performancën e Rexhepagiqit u bënë bashkë në një mozaik nostalgjie, dashurie, dhimbjeje e shprese.

Poeti Arbër Selmani gjatë tërë mbrëmjes këndoi tok me të dhe e ka vlerësuar si artist superior.

“Unë jam fans i çmendur i Armendit. Edhe në librin tim e kam një intervistë me Armendin edhe sot secilën këngë e kemi kënduar bashkë me të, me modestinë e tij. Është legjendë, është shkollë, për mua është institucion Armendi për këtë e kam shkarkuar tërë atë eufori edhe i’a kalova tepër mirë dhe është koncerti im i parë me Armendin mirëpo si një gjeneratë e viteve ’90 që jemi rritur me këngët e tij mund të them se e ka dhënë vetëm një për qind të krijimtarisë së tij dhe asaj çka Armendi mundet të dhurojë”.

Ajo që e bëri edhe më të jashtëzakonshëm koncertin ishte lidhja e thellë midis këngëtarit dhe publikut. Rexhepagiqi ndau anekdota personale ndërmjet këngëve dhe vazhdimisht shprehte mirënjohjen për secilin të pranishëm.

Selmani i ka veçuar dy prej këngëve të tij , ndër to edhe “Betohem në këngë”, e cila nuk ishte pjesë e programit të koncertit të së enjtes mbrëma.

“Mua më pëlqejnë të gjitha këngët e Armendit. Dy më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë: “Edhe një herë” që sonte e performoi siç po vërehet më është shterur zëri dhe “Betohem në këngë” që nuk e ka kënduar sonte por kënga “Edhe njëherë” mendoj që është kulmi artistik i bagazhit muzikor të Armendit dhe Aidës të mos harrojmë”.

Pjesë e publikut që ka kënduar në kor me Rexhepagiqin ka qenë edhe Agnesa Qerimi, e cila ka thënë se një koncert nga këngëtari i njohur e kishte pritur gjatë.

“Armedin e kemi pritur shumë gjatë nganjëherë edhe në ëndrra e kam parë duke më kënduar në ditëlindje. Ishte një mbrëmje e mrekullueshme për neve po vërehet edhe nga zëri që jemi shterur dhe e kemi shijuar jashtëzakonisht shumë. Është idhulli i të gjithë neve që kemi qenë këtu sonte”.

Festivali i Gastronomisë do të vazhdojë deri më 27 korrik me fokus te muzika. Pjesë e programit janë artistë të shumtë, si Marsela Çibukaj, Dren Abazi, Edi Furra, Jericho e të tjerë.

Ndërsa nata e parë e Festivalit u përmbyll duke e lënë gati secilin që mori pjesë në koncert me një ndjenjë përmbushjeje, duke e realizuar kështu edhe një prej qëllimeve me të cilin organizohet “Prishtina Gastronomy Festival.