Arkeologët në qytetin e Davidit, në Parkut Kombëtar, brenda mureve të Jerusalemit, kanë gjetur një unazë ari të zbukuruar me një gur të çmuar të kuq. Unaza daton nga periudha helenistike, nga fundi i shekullit III ose fillimi i shekullit II para erës sonë. Kanë hasur në të gjatë gërmimeve brenda gërmadhave të një ndërtese të madhe banimi dhe daton nga koha e Tempullit të Dytë në Jerusalem, prej 516 para erës sonë deri në shkatërrimin e tij nga romakët në vitin 70 të erës sonë.
Edhe pse unaza është e përmasave të vogla, simbolika e saj dhe konteksti arkeologjik zbulojnë një mori informacionesh rreth zakoneve dhe ritualeve shoqërore të kohës. Studiuesit spekulojnë se unaza mund të jetë varrosur si pjesë e një riti kalimi nga fëmijëria në moshën madhore – një praktikë që ata thonë se ishte e përhapur në botën helenistike.
Sipas arkeologes Marion Zindel nga Autoritetit të Antikiteteve të Izraelit është “një zakon i njohur i asaj periudhe, kur vajzat e reja, veçanërisht vajzat e fejuara, varrosnin bizhuteritë dhe sendet e tjera personale që nga fëmijëria e tyre në themelet e shtëpive, duke lënë simbolikisht fëmijërinë e tyre pas”.
Gjetja e unazës nën nivelin e dyshemesë së njërës prej dhomave sugjeron se ajo nuk ka humbur rastësisht, por është vendosur qëllimisht aty. Vetë ndërtesa në themelet e së cilës u gjet dëshmon për një pronar të pasur, duke pasur parasysh përmasat dhe cilësinë e ndërtimit. Përveç unazës, arkeologët zbuluan një sërë objektesh të tjera me vlerë në të njëjtën shtresë: vathë bronzi, një vath ari që paraqet një kafshë me brirë dhe një rruazë ari të dekoruar.
Është interesant fakti se kjo është unaza e dytë prej ari nga periudha e hershme helenistike që gjendet në të njëjtin vend vitin e fundit. Të dyja janë prej ari, të zbukuruara me gur të kuq dhe të varrosura nën dysheme, gjë që konfirmon më tej ekzistencën e një modeli specifik ritual.
Këto gjetje dëshmojnë për aspektet private dhe personale të jetës së banorëve të Jerusalemit të lashtë, duke ofruar një pasqyrë të mënyrave në të cilat ata shprehnin identitetin, statusin shoqëror dhe momentet e jetës.