Në qytetin verior të Suedisë, i njohur për fenomene unike natyrore e për trashëgimi, Ardita Statovci kishte mbajtur koncert recital, por tash rikthehet me “Ariadita Duo” bashkë me kolegen e saj zvicerane, Ariane Haering. “Muzika në mbrëmjen e verës” është titulli i koncertit dhe përzgjedhja e veprave lidhet edhe me vendin. “Ngërthej disa epoka dhe stile të ndryshme. Me rëndësi është edhe të jetë program domethënës dhe të ketë një pikë referencë edhe për vendin ku mbahet koncerti”, ka thënë Statovci për KOHËN
“Muzika në mbrëmjen e verës”, është titulluar koncerti më i ri i duos së themeluar prej Ardita Statovcit, pianistes nga Kosova, e njohur ndërkombëtarisht. Bashkë me pianisten zvicerane Ariane Haering, me të cilën tash e sa vite performojnë me emrin artistik “Ariadita Duo”, do të interpretojnë mbrëmjen e së mërkurës, në kishën e qytetit Kiruna, në veri të Suedisë.
Dyshja, që nga paraqitja e parë së bashku, në verën e vitit 2015 në Mattsee të Austrisë ka mbajtur koncerte të shumta dhe ka marrë vlerësime nga kritikë të njohur. Repertori i “Ariadita Duo”, përfshin kompozime të njohura në botën e muzikës veçmas vepra që rrallë luhen në piano nga katër duar.
Kjo nuk është hera e parë që artistja kosovare paraqitet para publikut suedez. Pikërisht në Kiruna – një vend i njohur për fenomenet natyrore si dritat polare a agimi polar (aurora borealis) apo diellin e mesnatës – ishte paraqitur edhe para disa vjetësh me koncert recital. Mirëpo, këtë herë për herë të parë shkon me duon pianistike “Ariadita”.
“Në program do të ketë vepra për piano me katër duar nga Poulenc, Mozart, Saint-Sawns dhe kryevepra të njohura si ‘Fantazia në F-mol’ nga Schubert ose ‘Voltava’ nga Smetana”, ka thënë Statovci. Ka shtuar se janë përkujdesur që programi i përzgjedhur t’u krijojë afërsi me publikun.
“Programin gjithmonë e përzgjedh me seriozitetin dhe kujdesin me të madh, ashtu që të ngërthej disa epoka dhe stile te ndryshme. Me rëndësi është edhe të jetë program domethënës dhe të ketë një pikë reference edhe për vendin ku mbahet koncerti”, ka thënë ajo.
Ka thënë se paraqitja për herë të parë në një sallë a vend është gjithmonë kënaqësi, mirëpo rikthimi në të njëjtin vend sipas saj, përbën një përgjegjësi edhe me të madhe ndaj pritjeve të publikut gjersa ka shtuar se Kiruna është një ndër vendet e saj më të dashura në Evropë.
“Përveç anës turistike dhe fenomeneve natyrore, interesant është fakti që në Kiruna ka komunitet sami - popullsia indigjene e veriut të Skandinavisë që ka ruajtur gjer më sot kulturën e traditën e vet”, ka thënë Statovci.
Ideja për duon, Statovcii dhe Haeringut, u kishte lindur para 13 vjetësh kur ishin takuar në Salzburg, dhe për qejf, kishin luajtur disa herë për piano për katër duar. Mirëpo, plani i bashkimit qe shtyrë për shumë vjet për shkak të pauzave. U finalizua para gjashtë vjetësh, dhe emri erdhi si kombinim i emrave të tyre, Ariane dhe Ardita.
Ardita Statovci është vlerësuar nga shtypi dhe kritika si interpretuese e sinqertë, e qartë dhe shumë emocionale, me cilësi super-elitare. Ndërsa Ariane Haering është aktive në skena të njohura ndërkombëtare për shumë vjet me radhë.