Kulturë

Ylli botëror i jazzit me magjinë e repertorit botëror në Mitrovicë

Gunhild Carling

Për pak më shumë se një orë, Gunhild Carling bashkë me “Big Band-in” e festivalit dhe vëllanë e saj si solist, klarinetistin Max Carling, repertori botëror i jazzit me ritme ‘blues’, ‘swing’ e ai klasik, qe plot ngjyra muzikore (Foto: “Mitrovica International Jazz Days”)

Festivali “Mitrovica International Jazz Days” edicionin e dytë e ka nisur energjinë e jashtëzakonshme dhe profesionalizmin e pashoq të kantautores e muzikantes suedeze, Gunhild Carling. Këndimi, loja në instrumente, vallëzimi, kalimi nga njëri te tjetri variacion i jazzit, janë një pjesë e imazhit të saj në skenën e festivalit që edhe për dy net të tjera sjell magjinë e repertorit botëror në Mitrovicë

Për të dytën herë në Mitrovicë, Festivali “Mitrovica International Jazz Days” ka sjellë jehonën e këngës e muzikës jazz në qytetin verior të Kosovës. Nata që hap edicionin e dytë ka qenë e rezervuar për yllin botëror të jazzit, kantautorja, multiinstrumentistja e kompozitorja suedeze, Gunhild Carling. 

Për pak më shumë se një orë, bashkë me “Big Band-in” e festivalit dhe vëllain e saj si solist, klarinetistin Max Carling, repertori botëror i jazzit me ritme ‘blues’, ‘swing’ e ai klasik, qe plot ngjyra muzikore. 

Gunhild ka luajtur vepra nga repertori i saj e ai amerikan. Si artiste shumëdimensionale në skenë dëshmohet jo vetëm duke mbajtur ritmin në zbërthim tingujsh e tekstesh, por edhe duke koordinuar bendin në pjesë improvizuese të programit që ka zgjedhur në koncertin e parë në Kosovë. 

Kalimi nga instrumenti në instrument është aq i thjeshtë. I zotëron dhjetë të tilla dhe më shumë se gjysmës prej tyre i ka dhënë tingull të enjten mbrëma në koncertin në ambient të hapur në sheshin “Mehë Uka”.

Shfaqja e shkathtësive të jashtëzakonshme të saj kulmon derisa luan në tri trumbeta përnjëherësh. Pas këtij instrumenti, trombonit, fyellit, e instrumentin tradicional skocez, e zbulon edhe zotërimin e kontrabasit. Tjetër sekuencë e këtij spektakli është ai kur derisa tërheq harqet, i jep frymë trumbetës vertikale në ajër duke harmonizuar e vetme duon e tingujve. 

Këngët autoriale të Gunhild flasin shumë për të. E para me titull “Jazz is my lifestyle” flet për zhanrin muzikor si pjesë e pandarë nga jeta e saj. Këtë e ka thënë edhe pas koncertit. 

“Muzika është varka me të cilën lundroj. Nuk është gjithmonë e njëjtë, përherë secila prej tyre ndryshon. Njëra është balet, njëra ‘swing’, tjetra art kontemporan, njëra instrumentale. Pastaj sjellim cirkun apo varietete të tjera. Këtu janë mbase një mijë njerëz dhe ne duam t’i argëtojmë ata”, ka thënë ajo. 

Vendi i saj e çmon krijimtarinë e saj. Ajo ishte ftuar të kompozonte një vepër e ta performonte në Pallatin Mbretëror të Stokholmit me rastin e  ditëlindjes së 70-të të mbretit suedez. Derisa ka përmendur orkestrën gjigante me të cilën kishte luajtur, ka thënë se muzikantët të cilët e kanë përcjellë atë në këndim, janë të klasit të parë. 

“Unë kompozoj shumë muzikë dhe ‘Big Band-i’ është mënyrë fantastike për të shprehur muzikën, sidomos ‘swing’ dhe jazz. Ky bend është bërë mënyrë për ta shprehur muzikën. Po ashtu, e kam kompozuar një vepër për mbretin e Suedisë ku kisha një orkestër të tërë prapa vetes, dhjetëra instrumente frymore që luanin përnjëherësh. Por asgjë nuk është më fantastike se ky bend. Muzikantët janë të klasit të lartë, sidomos bateristi”, ka thënë artistja shumëdimensionale suedeze. 

Ajo luan edhe në piano, harpë, harmonikë e të tjera dhe mban koncerte në të gjithë botën.

Është figurë e njohur televizive në Suedi duke shfaqur talentin e saj në vallëzim në shown “Dancing with the Starss”, ku zuri vendin e tretë, gjithashtu ka marrë pjesë në garën “America’s Got Talent” e shumë të tjerë. 

Nga viti 2006, për dhjetë vjet rresht ka organizuar festivalin “Stockamollan Swing & Jazz” me artistë nga e gjithë bota në qytetin e saj të lindjes Stockamollan. Nga 2008 e deri më 2016 ka organizuar një turne të madh jazzi në Suedi me formacionin e saj të telave të big bandit. Vitin e kaluar ka mbuluar 25 qytete në një muaj.

Në programin e koncertit në Mitrovicë ka përfshirë këngë autoriale si  “Fire along”, “I desire you” e “You are the music” ndërsa nga repertori amerikan ka zgjedhur “The lady is a trap” të Frank Sinatra e “Your smile makes the difference to my life”.

Prezantimi i saj edhe në një skenë më të vogël nga ç’është menduar të luajë, është spektakël kur ndërthur këngën, muzikën e vallëzimin. Në fakt është një lloj imazhi se ajo është në gjende të ndërtojë një koncert të tërë e vetme. E përmbush mozaikun e asaj çfarë e ndërton një koncert. 

Disa prej veprave kanë qenë improvizuese dhe instrumentistët luajnë sipas rregullave të saj. Ata janë kryesisht nga vendi, por edhe nga rajoni. Shumica e formacionit ndërtohet prej frymorëve bashkë me pianon, kontrabasin dhe bateritë. Në partiturat e muzikës, Carling i bashkohet orkestrës, duke dominuar me instrumentet e saj të zgjedhura varësisht se çfarë kahe dëshiron t’i hap ritmit. 

Publikun e befason secilën herë duke u shfaqur me një tjetër instrument. Por modestia e saj e bën që krejt meritat për spektaklin t’ia adresojë bendit. Disa herë në skenë i ka lavdëruar e shumë prej tyre i ka dalluar duke u kërkuar lojë solo. Saksofonisti Dukagjin Muhaxheri e Visar Kuçi në kitarë kanë qenë disa prej tyre. 

Suedezja Carling ka rikonfirmuar edhe pas koncertit profesionalizmin e bendit. 

“Isha shumë e befasuar me nivelin e tyre. Instrumentistët që vijnë nga tri vende të ndryshme filluan të luajnë dhe ne luajtëm sikur kemi luajtur kaherë bashkë”, ka thënë ajo për KOHËN. 

Duke u ndërlidhur me këngën e saj “Jazz is my lifestyle”, pa u menduar dy herë ka thënë se nuk ka dyshim që jazzi është stili i saj i jetesës dhe vetë jeta, të paktën për të. 

“Këngët, ato të cilat i quajmë ‘libri i këngëve të mëdha amerikane’ do të zgjasin përgjithmonë. Këto lloj këngësh do të zgjasin për mijëra vjet. Jazzi është jetë”, ka thënë më tej ylli botëror i jazzit. 

Aty për aty ajo është edhe dirigjente duke i koordinuar instrumentet në pjesët improvizuese që ngjajnë se spontanisht ndërtojnë mozaikun e tyre. Në një pikë ajo fton fillimisht bateritë, pastaj Max Carling me klarinetë, lojën me saksofon, e pastaj edhe vetë luan në fyell. Këtë pjesë e mbaron me tinguj të kitarës. Është një lloj harmonizimi e komunikimi midis instrumentesh që e dëshmon mjeshtërinë e saj edhe në këtë aspekt. Kjo tregohet përfundimisht në partiturat ku zgjedh të interferojë me instrumentin e saj. 

Njërën prej veprave me ritme blues e ka kompozuar veçanërisht për koncertin në Kosovë. Ka kënduar edhe një pjesë nga repertori operistik gjerman. 

Instrumentistët janë udhëhequr nga dirigjenti Edon Ramadani, i cili e ka konsideruar privilegj ta drejtojë formacionin e koncertit të saj. 

“Shumicën e aranzhimeve na i ka dërguar paraprakisht zonja Gunhill. Ne vetëm kemi pasur punë t’i ushtrojmë dhe t’u përshtatemi kërkesave të saj. Kanë qenë edhe disa këngë që kanë qenë improvizime, disa forma të bluesit, të cilat i ka bërë me një pjesë të bendit, por shumica kanë pasur aranzhimet. Jemi shumë të lumtur që e kemi pasur në Mitrovicë, duke e ditur se është yll botëror i këtij lloji të muzikës”, ka thënë maestro Ramadani.

Klarinetisti suedez, Max Carling, pos përcjelljes me muzikë, ka sjellë edhe performancë skenike duke e argëtuar publikun. Ai ka thënë se i ka lënë përshtypje publiku që është dashamir i jazzit, por edhe profesionalizmi i bendit. 

“Kur nisëm provat, mbetëm gojëhapur. Erdhën në këtë vend dhe pamë se ata luajnë veprat që luajnë bendet më të mira të jazit në Amerikë. E di se kanë huazuar muzikantë nga Bullgaria dhe Maqedonia, por shumica janë prej këtu. Duhet të jeni krenarë për këtë”, ka thënë ai. 

Suedezja Carling e zotëro krejt skenën. Publikun e përgatit paraprakisht duke ia mësuar ato pjesë të këngëve që më shumë ngjajnë në pasthirrma. Ajo këndon dhe publiku e pason. 

Kantautorja e jazz-këngëtarja, Rona Nishliu që edhe e drejton Festivalin “Mitrovica International Jazz Days”, ka thënë se performancat e Gunhild Carling janë magjepsëse. 

“Çfarë më ka bërë shumë përshtypje është se ajo nuk ndalon. Më duket se ajo i punon tri koncerte në ditë, aq shumë ka energji, përkushtim. Jazzi është stil i jetës së saj, nuk është diçka që e bën vetëm për skenë, është mënyrë e jetës së saj, është përditshmëria të cilën ajo e jeton në secilin 24-orësh. Mendoj se për Mitrovicën është nder që një artiste e nivelit të saj ka ardhur, por edhe në nivel nacional është një prurje me shumë vlerë. Uroj t’i ketë inspiruar gjeneratat”, ka thënë Nishliu, derisa ka paralajmëruar rrugëtimin muzikor edhe për dy net të festivalit. 

“Ne i kemi edhe dy ditë të tjera me koncerte. Janë tri koncerte zyrtare dhe dy performanca të shkurtra që dalin prej dy punëtorive edukative të cilat i kemi përgatitur për të rinjtë e talentuar. Njëri ka qenë për talentët e rinj të Ballkanit”, ka thënë ajo më tej. 

Shëtitja nëpër rreshtat e publikut ka qenë përshëndetja e yllit botëror Gunhild Carling, e cila e ka konfirmuar klasin e jazit si zhanër e kualitetin në skenën muzikore. 

Festivali edhe për dy net në vazhdim zbërthen muzikën jazz në qendër të Mitrovicës me emra të shquar të këtij zhanri.