Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Pianistja Statovci bashkon veprat shqiptare me ato botërore në Washington

Pianistja e lindur në Prishtinë, Ardita Statovci, vlerësohet nga kritika si interpretuese e sinqertë, e qartë dhe shumë emocionale, me cilësi super-elitare

Pianistja e lindur në Prishtinë, Ardita Statovci, vlerësohet nga kritika si interpretuese e sinqertë, e qartë dhe shumë emocionale, me cilësi super-elitare. Me lojën e saj impresionon me përkushtimin e pakompromis ndaj muzikës e ekspresivitetin e jashtëzakonshëm (Foto: Arben Llapashtica)

"Kësaj radhe, krahas një kryevepre pianistike monumentale e shumë të dashur për mua siç është ‘Variacione dhe fuge mbi një temë të Händelit’ e kompozuar nga Brahmsi, një vepër që si e vetme zgjat afro gjysmë ore, në program kam përfshirë edhe pjesën pianistike ‘Allaturka’ nga kompozitori ynë, Fahri Beqiri”, ka thënë pianistja Ardita Statovci duke kujtuar se për interpretimin e veprës të cilën e vlerëson për karakterin e veçantë shprehës kishte marrë lëvdata edhe nga vetë kompozitori i ndjerë

Magjinë muzikore të mjeshtërisë së saj në piano, pianistja e shquar Ardita Statovci do ta zbërthejë para publikut amerikan. Në “La Maison Française” në Washington, me koncert solistik do të sjellë një dialog të rafinuar midis repertorit botëror dhe muzikës shqiptare të cilën synon ta promovojë në skenën ndërkombëtare. 

Pianistja e lindur në Prishtinë vlerësohet nga kritika si interpretuese e sinqertë, e qartë dhe shumë emocionale, me cilësi super-elitare. Me lojën e saj impresionon me përkushtimin e pakompromis ndaj muzikës e ekspresivitetin e jashtëzakonshëm. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me mbi tre dekada në instrument, Statovci e përshkruan rrugëtimin e saj si “më shumë sesa një punë tetë-orëshe”. 

“Në ndërkohë janë bërë mbi 36 vjet që unë luaj pianon dhe kam pasur fatin për të interpretuar në shtete e kontinente të ndryshme në bote, me koncerte recitale, si soliste me orkestër apo me muzikë dhome. Nëse i shumëzojmë këto dekada me ushtrimin ditor, është në fakt një jetë e tërë pranë pianos. Është më shumë sesa një punë ditore që konsiderohet të jetë tetorëshe”, ka thënë ajo për KOHËN. 

Përkushtimin e saj dhe arritjet i konsideron si “pasion, profesion dhe mision në të njëjtën kohë. Është dashuri për muzikën e disiplinë e rreptë e vetëmohim në të njëjtën kohë”. E për të, njëjtë ngjan edhe me përzgjedhjen e programit. 

Programi për koncertin në Washington është ndërtuar me kujdes, sipas një filozofie që ajo e ka kultivuar ndër vite: krahas kryeveprave të dëshmuara të repertorit botëror, të përfshihet edhe muzika shqipe si urë prezantimi për publikun e huaj. 

“Nëpër recitale pianistike, kudo që kam mundësinë, krahas veprave të njohura e të dëshmuara pianistike, kam integruar me dekada, edhe vepra të kompozitoreve tanë”, ka thënë pianistja Statovci. 

Në këtë koncert recital do të interpretohen vepra nga Franz Schubert, Maurice Ravel dhe Johannes Brahms. Nga programi veçon “Variacione dhe fugë mbi një temë të Händel-it” të Brahmsit – të cilën pianistja e konsideron ndër më të dashurat për të – si dhe veprën “Allaturka” të Fahri Beqirit. 

“Kësaj radhe, krahas një kryevepre pianistike monumentale e shumë të dashur për mua siç është ‘Variacione dhe fuge mbi një temë të Händelit’ e kompozuar nga Brahmsi, një vepër që si e vetme zgjat afro gjysmë ore, në program kam përfshirë edhe pjesën pianistike ‘Allaturka’ nga kompozitori ynë, Fahri Beqiri”, ka thënë ajo duke kujtuar se për interpretimin e veprës të cilën e vlerëson për karakterin e veçantë shprehës kishte marrë lëvdata edhe nga vetë kompozitori i ndjerë. 

“E kam luajtur edhe më parë e nëpër vende të ndryshme të botës dhe më pëlqen shumë karakteri që shtjellon. Kur e kam luajtur në Prishtinë, e pati dëgjuar edhe vetë kompozitori Fahri Beqiri sa ishte gjallë dhe ishte shumë i kënaqur me interpretimin, gjë që më bën të ndihem mirë”, ka kujtuar ajo. 
Koncerti do të mbahet më 17 mars nga ora 18:30 dhe organizohet nga Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të “Festivalit të Frankofonisë”. 

Në prezantimin e ngjarjes paralajmërohet për një mbrëmje elegante muzikore dhe ku vihet në pah shprehja muzikore frankofone.

“E njohur për karrierën e saj të shquar si soliste dhe muzikante dhome, Statovci ka performuar në skena të njohura në mbarë botën. Kjo mbrëmje e veçantë do të përfshijë një program të rafinuar që përfshin vepra nga kompozitorë francezë, duke nxjerrë në pah pasurinë dhe diversitetin e shprehjes kulturore frankofone”, shkruhet aty midis tjerash. 

Statovci thekson se për ta bindur publikun e rregullt të muzikës klasike jashtë vendit të marrë pjesë në koncerte, programi duhet të mbështetet fillimisht në vepra të dëshmuara të repertorit pianistik.

“E pastaj këtu mund të inkorporosh edhe ndonjë pjesë që nuk e njohin ende. Pikërisht këtu është edhe misioni im për të promovuar muzikën tonë nga Kosova”, shprehet ajo duke theksuar dimensionin kulturor e përfaqësues të punës së saj.

Recitali në “La Maison Française” vjen pas një periudhe të ngarkuar për pianisten, e cila dy javët e fundit ka mbajtur koncerte të muzikës kamertale në Washington dhe Virginia. Edhe gjatë periudhës së verës pritet të jetë e angazhuar, pos me koncerte, edhe si pedagoge. 

“Në verë, jam e lumtur që jam ftuar sërish për të dhënë mësim dhe për të koncertuar në kuadër të ‘Chamber Music Conference and Composer's Forum of the East’ që mbahet në ‘Colgate University’ në shtetin e New York, dhe ku jam në mesin e kolegëve të çmuar nga Amerika. Ndër ta, edhe që japin mësim në top-universitetet e institucionet e muzikës si ‘Juilliard School’ e të ngjashme”, ka bërë me dije Statovci, soliste dhe interpretuese e muzikës së dhomës e kërkuar në gjithë Evropën, Shtetet e Bashkura dhe Azinë. 

Ka interpretuar në skena e institucione prestigjioze si në Vjenë, Hamburg, Dortmund, Stokholm, Ankara, Mumbai, Suedi e shumë të tjera. Në Prishtinë ka interpretuar në kuadër të festivalit të pianos “Chopin Fest”. Angazhimi i saj ndaj muzikës bashkëkohore reflektohet në bashkëpunime të ngushta me kompozitorë të shquar të kohës, shumë prej të cilëve i kanë kushtuar vepra asaj. 

Shkollimin për piano e nisi në Prishtinë duke përfunduar disa klasa brenda një viti të vetëm shkollor.

Në moshën 15-vjeçare u pranua në universitetin “Mozarteum Salzburg”, ku mori diplomën Master i Arteve me nota të larta. Studimet pasuniversitare i vazhdoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Itali. Ajo shërben si pedagoge në Konservatorin e Muzikës në Washington dhe mban masterklasa në Evropë, SHBA dhe në Azi. 

Koncerti i saj i 17 marsit në Washington është falas për publikun, por kërkohet regjistrim paraprak. Interesimi, sipas njoftimit, është i madh. 

Kjo dëshmon jo vetëm për reputacionin ndërkombëtar të pianistes, por edhe për kureshtjen e publikut atje për një mbrëmje që bashkon traditën e madhe evropiane dhe autenticitetin e muzikës shqiptare.