Pesë vjet pas themelimit të Universitetit të Prishtinës, Kuvendi i atëhershëm i Kosovës miratoi ligjin, nëpërmjet të cilit Krahinën e asokohshme autonome e bëri me Akademi të Shkencave dhe Arteve. Prej atëherë e deri tash, për 50 vjet Akademia e Arteve dhe Shkencave e Kosovës është institucioni kryesor shkencor në vend. ASHAK-u në këto pesë dekada qe shtyllë e shoqërisë së Kosovës e më pas edhe e shtetit. Rrethanat bënë që ky institucion të ketë edhe rol shtetformues përtej asaj që ngjan me akademi që konsolidohen pas krijimit të shteteve
Në fund të viteve ’60 dhe fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, shoqëria shqiptare në Kosovë kishte nisur një ecje më të shpejtë drejt emancipimit arsimor, kulturor dhe zhvillimi po merrte hov më të madh. Pesë vjet pas themelimit të Universitetit të Prishtinës, Kuvendi i atëhershëm i Kosovës miratoi ligjin, nëpërmjet të cilit Krahinën e asokohshme autonome e bëri me Akademi të Shkencave dhe Arteve. Prej atëherë e deri tash, për 50 vjet Akademia e Arteve dhe Shkencave e Kosovës është institucioni kryesor shkencor në vend. ASHAK-u në këto pesë dekada qe shtyllë e shoqërisë së Kosovës e më pas edhe e shtetit. Rrethanat bënë që ky institucion të ketë edhe rol shtetformues përtej asaj që ngjan me akademi që konsolidohen pas krijimit të shteteve. Të mërkurën, 10 ditë para se të mbushë 50 vjet prej ditës së themelimit, Akademia nëpërmjet një ceremonie solemne shënoi e festoi gjysmëshekullin e parë.
Historia e Akademisë e lidhur ngushtë me historinë e shtetit
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se themelimit të Akademisë i kanë paraprirë disa rrethana të zhvillimeve shoqërore dhe politike në vend. Sipas tij, Akademia u nis në kohën dhe rrethanat e zgjerimit të autonomisë së Kosovës në kuadër të ish-Jugosllavisë gjatë rritjes së kompetencave vendimmarrëse të organeve ligjvënëse të Krahinës.
“Pavarësisht se u themelua në vitet më të mira të autonomisë, në përbërjen e saj në botimet dhe programin e punës deri në vitin 1990 Akademia e Kosovës nuk arriti të bëhej as nacionale e as e mosvarur. Ishte akademi jugosllave me përbërje nacionale, nëse jo krejtësisht diskriminuese, gjithësi joproporcionale, gjithnjë në dëm të shumicës shqiptare, me programe të punës që synonin integrimin jugosllav, me më pak botime në gjuhën shqipe dhe me punën kërkimore shkencore dukshëm joafirmative për Kosovën”, ka thënë Kraja. Vitet ’90, kur shoqëria shqiptare në Kosovë jetoi nën okupimin serb, i ka përshkruar si të rënda. Pasi ka përmendur disa prej arritjeve të Akademisë në çerekshekulli të Kosovës së lirë, akademik Kraja ka thënë se sfidat vazhdojnë.
“Sfida më të mëdhe të Akademisë së Kosovës mbeten edhe më tej konsolidimi dhe pavarësia institucionale. Historia e saj është e lidhur ngushtë me historinë e shtetit të Kosovës duke qenë jo vetëm mbështetëse e të gjitha proceseve politike që kanë çuar Kosovën drejtë pavarësisë, ndonjëherë edhe ideatore e këtyre lëvizjeve me interes për shoqërinë dhe emancipimin e saj arsimor dhe kulturor”, ka thënë ai. Sipas Krajës, ky rol specifik i Akademisë për dije të avancuar dhe emancipim më dinamik të shoqërisë kosovare e ka bërë Akademinë aleate të ngushtë të shtetit dhe institucioneve të tij.
Akademia si mbrojtëse e kulturës dhe zhvilluese e shkencës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj ka thënë se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është qendra ku u formësua mendimi politik dhe institucioni ku lindën idetë, që i dhanë drejtim, kuptim dhe themel shtetit. Sipas saj, prej pesë dekadash, akademikët e Kosovës kanë punuar në rrethana jashtëzakonisht të vështira kohë pas kohe, por synimi ishte të mbroheshin gjuha, kultura, e mbi të gjitha interesi kombëtar.
“Ata kanë kontribuar në formim politik, arsimor e kulturor dhe e kanë lidhur shtetin tonë me qendrat botërore të dijes, kanë artikuluar idetë, të cilat i dhanë kuptim rrugës sonë për një shoqëri të vlerave dhe për një shtet modern e të integruar në institucionet euroatlantike”, ka thënë presidentja Osmani.
Ka përmendur Esad Mekulin si dijetar që e ngriti Akademinë në institucionin, ku fjala dhe mendimi i lirë u bënë themel i identitetit kulturor e Gazmend Zajmin si kontribuues të pazëvendësueshëm në ngritjen e themeleve juridike të shtetit.
“Pesëdhjetë vjet të ekzistencës së Akademisë janë dëshmi e fuqisë së dijes. Sepse kur flasim për dije, flasim për shtet. Nuk mund të ketë asnjëherë shtet të fortë pa shkencë të fortë, siç nuk mund të ketë shoqëri moderne pa akademikë që udhëheqin mendimin e lirë, kritik dhe largpamës. Akademia është ndër institucionet që i japin shtetit edhe vetë substancën”, ka thënë ajo. Sipas presidentes Osmani, historianët, gjuhëtarët dhe studiuesit janë gardianë të saktësisë në një epokë, ku informacioni shpërndahet pafundësisht, por e vërteta shpesh mbetet e rrallë.
“Akademikët janë interpretuesit, por edhe mbrojtësit e kësaj të vërtete. Dhe, mbrojtësit e një të ardhmeje në një kohë kur teknologjia lëviz më shpejt se imagjinata, ndaj mbajnë barrën e përgjegjësisë për ta orientuar dijen drejt vlerave dhe etikës, të cilat e bëjnë një shoqëri të qëndrueshme dhe të lirë”, ka thënë midis të tjerash ajo.
“Gjithmonë politike”
Kurse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij është kthyer prapa në kohë. Ka thënë se që nga Helena Peshkopia, e cila më 25 qershor të vitit 1678 e mbrojti tezën e saj doktorale, duke u bërë femra e parë në botë me doktoratë në filozofi dhe deri tek eruditi Sami Frashëri, që në shekullin e 19-të e botoi enciklopedinë e dytë në botë, mes shqiptarëve ka pasur gjithmonë njerëz ishullorë, por edhe qarqe që kanë prodhuar dhe qarkulluar dije mes tyre dhe me të tjerët. Por në enciklopedi të ndryshme botërore s’njihet një Helena Peshkopia. Si e doktoruara e parë e evidentuar njihet venedikasja Elena Cornaro Piscopia. Më pas kryeministri në detyrë Kurti ka dalë te Mesihi nga Prishtina, poeti i shquar që, sipas tij, dikur shoqëroi Mikelanxhelon në Stamboll, që ka lënë edhe një vepër të kulluar poetike, ashtu sikurse Pjetër Bogdani, me letrat, relacionet dhe veprat e tij, kanë lënë një çetë zërash profetikë për kohën dhe gjendjen shqiptare në shekullit e 17-të. Më pas kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dalë te një debat që, sipas tij, s’i vihet pikë kurrë: atë mes politikës dhe shkencës.
“Që nga themeluesi i akademisë, Platoni, dhe nxënësi i tij më i shquar i shkencës, Aristoteli, njëri autor i “Republikës” dhe tjetri autor i “Politikës”, akademia dhe politika kanë udhëtuar së bashku. Shkenca e artet dhe pushteti me shtetin përdridhen mes tyre mes forumesh dhe fushëbetejash, sepse dija shkencore dhe arti, duke qenë në imanencë publike, janë gjithmonë politike”, ka thënë ai. Më pas ka kaluar te pyetjet e filozofit idealist gjerman, Imanuel Kant: Ç’mund të di?; Ç’duhet të bëj?; dhe Ç’mund të shpresoj?
“Në historinë gjysmëshekullore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës mund të lexohen mijëra përgjigje të këtyre pyetjeve, ngase në historinë e ASHAK-ut është e shkruar edhe historia e shkencës dhe arteve në Kosovë, e mendimit dhe e veprimit, etik, estetik dhe politik. Sepse nga anëtarët e dikurshëm dhe të tanishëm të kësaj akademie janë krijuar dhe botuar qindra vepra dhe mijëra punime shkencore, filozofike dhe artistike, që kanë marrë dhe kanë dhënë, nga ky vend dhe nga e gjithë bota, me njerëzit e kësaj shoqërie dhe drejt tyre e popujve të tjerë”, ka thënë ai. Ua ka lënë edhe një porosi akademikëve.
“E në kohën tonë kur kanë marrë hov luftërat hibride, inteligjenca artificiale dhe tensionet gjeopolitike, e ku demokracia perëndimore dhe të drejtat e njeriut janë të sulmuara si asnjëherë më parë, akademitë duhet të jenë të zëna si rrallëherë më parë”, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Shkencëtarët e qëndresës
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e tij ka thënë se Kosova kishte një histori dhe trashëgimi të çmuar dijesh të hershme përpara se godina dhe institucioni që funksionon aty të merrnin formën e vet.
“Këtë trashëgimi sot në këtë jubile ne e kujtojmë dhe e nderojmë me mirënjohje të thellë, udhëheqësit e shkollës shqipe, profesorët e normales, studiuesit dhe albanologët e parë shqiptarë, dhjetëra qindra shkencëtarë me përkushtim e sakrificë punuan për të mbajtur gjallë arsimin, gjuhën dhe kulturën shqipe”, ka thënë Begaj. Sipas tij, falë tyre kultura, gjuha, historia dhe identiteti kombëtar shqiptar në Kosovë arritën të mbijetonin dhe të lulëzonin.
“Prandaj këtë 50-vjetor e festojmë duke nderuar gjithashtu dhjetëra e qindra personalitete të dijes e artit, që me punën, talentin dhe integritetin e tyre krijuan themelet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, ka thënë presidenti Begaj.
Kurse kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ka thënë se Akademia e Kosovës lindi në kohë të vështira, si një nevojë e domosdoshme dhe e paevitueshme. Ka përmendur se tashmë bashkë të dyja akademitë po punojnë në projektin e madh për Enciklopedinë shqiptare. Por ka pasur edhe një kërkesë.
“Ne jetojmë në një kohë kur integrimi evropian është projekti strategjik i shoqërisë sonë dhe i të dy vendeve tona. Procesi i integrimit kërkon dije dhe investime në kërkimin shkencor. Kërkimi evropian duhet shoqëruar me integrim në shkencë. Gara sot në nivel rajonal e global përshkohet nga përdorimi i inteligjencës artificiale. Me përvojën tashmë 50-vjeçare Akademia e Kosovës ka përvojën të jetë udhëheqëse në përballimin e Kosovës në sfida të reja”, ka thënë akademik Gjinushi.
Në ceremoninë solemne të pranishmëve u janë drejtuar edhe Marie Louise Nosch, nënkryetare e ALLEA-s, Peter Štih, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Sllovenisë, Ljubiša Stanković, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Živko Popov, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë së Veriut, Lidija Lincender-Cvijetić, nënkryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Bosnjë- Hercegovinës, Massimo Della Valle, Akademia Nacionale e Linceit dhe Lucian Brujan, koordinator i Procesit të Berlinit për Arsimin, Shkencën dhe Inovacionin.