Ish-drejtori i Drejtorisë së Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka deklaruar se është shkarkuar nga pozita e tij nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
Havolli ka bërë të ditur se vendimi i është komunikuar gjatë një takimi të enjten, ku, sipas tij, Rama i kishte thënë se po planifikonte të bënte disa ndryshime në ekip.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Është shkarkim. Të enjten kam pasur një takim me kryetarin. Më njoftoi se dëshiron të bëjë disa ndryshime,” ka thënë Havolli për KOHËN, duke shtuar se nuk ka kërkuar sqarime për arsyet e vendimit.
Ai ka shprehur dyshime se shkarkimi lidhet me, sipas tij, afrimin e Ramës me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Havolli tha se ka vërejtur koordinime mes kryetarit dhe kësaj partie, përfshirë edhe në seancën e fundit të kuvendit komunal.
“Unë e përfaqësoj LDK-në dhe normal që ato skena për mua janë të pakëndshme për t'i parë e sidomos për kryetarin e kryeqytetit, për të cilin LDK-ja ka dhënë shumë dhe ka punuar shumë. Kështu që në këtë drejtim për mua nuk ka fare rëndësi veprimi i tij, por fatkeqësisht kryetari nuk e di për çfarë arsye ka rënë nën ndikim të PDK-së”, ka thënë ai.
Havolli theksoi se pas këtij takimi, besimi ndaj kryetarit Rama është prishur dhe, sipas tij, edhe nëse do t’i ofrohej të vazhdonte detyrën, nuk do ta pranonte.
“Nuk e kam pyetur fare për arsyen sepse pas atij takimi edhe po të më thoshte rri, nuk do të rrija. Nuk do të mund të punoja me të, jo sepse ka qenë ndonjë takim i keq, por praktikisht është takim i humbjes së besimit edhe ndaj tij”, ka thënë ai.