Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka emëruar në pozitën e Drejtoreshës së Investimeve Kapitale, Zyhrije Pllana, pozitë të cilën deri tash e ka mbajtur Sokol Havolli.
Lajmin e ka bërë të ditur Rama përmes një postimi në Facebook.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKa shkruar se Pllana ka kontribuuar me profesionalizëm në procese kyç të kryeqytetit, kurse për Havollin ka uruar "suksese në rrugëtimin e tij profesional".
“Zyhrije Pllana emërohet në pozitën e Drejtoreshës së Investimeve Kapitale, duke marrë përsipër një rol të rëndësishëm në udhëheqjen dhe realizimin e projekteve zhvillimore. Me një përvojë të gjatë dhe të dëshmuar në Kryeqytet, znj. Pllana ka qenë pjesë e proceseve kyçe institucionale, duke kontribuar me profesionalizëm, përkushtim dhe integritet në shërbim të qytetarëve. Shprehim mirënjohje dhe besim të plotë në aftësitë e saj për të udhëhequr me sukses investimet kapitale dhe për të avancuar projektet me rëndësi strategjike”, ka shkruar ai. “Njëkohësisht, shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë për Sokol Havolli për kontributin e tij, përkushtimin dhe punën e palodhur gjatë ushtrimit të kësaj detyre deri tani. Havollit i dëshirojmë suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij profesional”.
KOHA ka kontaktuar Havollin për të marrë koment lidhur me lajmin dhe posa të përgjigjet teksti do të përditësohet.
Pëllumb Bajçinovci emërohet drejtor i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës
Pëllumbi Bajçinovci është emëruar drejtor për Mobilitet në Komunën e Prishtinës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Si asamblist aktual në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe ish-kryesues i tij, Bajçinovci ka qenë pjesë aktive e proceseve vendimmarrëse, duke kontribuar në fusha si zhvillimi urban, rinia, sporti dhe kultura. Gjithashtu, përvoja e tij si zëdhënës në Komunën e Prishtinës ka forcuar profilin e tij në komunikimin publik dhe bashkëpunimin me qytetarët. Me formim akademik në menaxhment dhe përvojë në institucione, ai pritet të kontribuojë në avancimin e politikave të mobilitetit, përmirësimin e qarkullimit urban dhe zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për qytetin. I urojmë suksese në këtë përgjegjësi të re, në shërbim të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Rama në Facebook.
Havolli pas shkarkimit: Rama ra në ndikim të PDK-së
Ish-drejtori i Drejtorisë së Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka deklaruar se është shkarkuar nga pozita e tij nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
Havolli ka bërë të ditur se vendimi i është komunikuar gjatë një takimi të enjten, ku, sipas tij, Rama i kishte thënë se po planifikonte të bënte disa ndryshime në ekip.
“Është shkarkim. Të enjten kam pasur një takim me kryetarin. Më njoftoi se dëshiron të bëjë disa ndryshime,” ka thënë Havolli për KOHËN, duke shtuar se nuk ka kërkuar sqarime për arsyet e vendimit.
Ai ka shprehur dyshime se shkarkimi lidhet me, sipas tij, afrimin e Ramës me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Havolli tha se ka vërejtur koordinime mes kryetarit dhe kësaj partie, përfshirë edhe në seancën e fundit të kuvendit komunal.
“Unë e përfaqësoj LDK-në dhe normal që ato skena për mua janë të pakëndshme për t'i parë e sidomos për kryetarin e kryeqytetit, për të cilin LDK-ja ka dhënë shumë dhe ka punuar shumë. Kështu që në këtë drejtim për mua nuk ka fare rëndësi veprimi i tij, por fatkeqësisht kryetari nuk e di për çfarë arsye ka rënë nën ndikim të PDK-së”, ka thënë ai.
Havolli theksoi se pas këtij takimi, besimi ndaj kryetarit Rama është prishur dhe, sipas tij, edhe nëse do t’i ofrohej të vazhdonte detyrën, nuk do ta pranonte.
“Nuk e kam pyetur fare për arsyen sepse pas atij takimi edhe po të më thoshte rri, nuk do të rrija. Nuk do të mund të punoja me të, jo sepse ka qenë ndonjë takim i keq, por praktikisht është takim i humbjes së besimit edhe ndaj tij”, ka thënë ai.