Kulturë

“Frymëmarrje në gardh” për mposhtjen e frikës nga tradita

 

Prishtinë, 24 janar – Në shikim të parë gardhi me thupra në shoqërinë shqiptare asocion me rrethojë oborri a të një pjese të arës. Por kur i tillë vendoset në mes të galerisë, merr tjetër kuptim. Hapësira e rrethuar në të katër anët me gardh në ekspozitën e artistit Mentor Berisha, ngërthen në vete shumë mesazhe. Vetë skulpturat brenda saj japin ndjesinë e një muzeu të vogël. Një muze që në vete bart historinë e traditën.

Këtë e bën me skulpturën e përkrenares së Skënderbeut dhe shpatën e tij. Ndërsa traditën e paraqet përmes veshjeve kombëtare. Aktorët Afrim Muçaj bashkë me Rajmonda Ahmetajn brenda gardhit në fillim të performancës qëndrojnë të heshtur. Më pas me zë të ulët citojnë pjesë nga Kanuni. Performanca e tyre në një ambient të errët, që ndriçohet vetëm pak nga llambat e gjelbra, krijon një atmosferë intime brenda në galeri.