Dy artistë kosovarë, piktori Mentor Berisha dhe regjisori Yll Berisha morën pjesë në festivalin “We Are Founding a City” në Vjenë që synon vizionimin e një qyteti artistik
Artisti Mentor Berisha ka marrë pjesë në festivalin interdisciplinar “We Are Founding a City”, platformë kreative kjo që kishte për qëllim themelimin e një “qyteti” vizionar, afër Vjenës së Austrisë, nga data 22-24 gusht.
Organizatorët kishin paraparë një formë të lirë të shfaqjes së performancave artistike nën moton simbolike të krijimit të një qyteti nga vizioni i artistëve. Kurator ishte pianisti dhe kompozitori i mirënjohur italian, Marino Formenti.
Berisha në mesin e shumë krijuesve të artit dhe muzikës bashkëkohore, si: Olga Neuwirth, Claudia Bosse, Max Nag, Eugène Michelangeli, Maria Radutu, Marino Formenti, është prezantuar me tri piktura dhe një videoinstalacion që përmbledhin dy nga ciklet e fundit të tij: “Greva e Minatorëve të Trepçës” (1989) dhe “Falja e Gjaqeve” (1990). Ky prezantim ka shënuar një moment të rëndësishëm në krijimtarinë e tij artistike për të ndarë para një audience ndërkombëtare dy prej ngjarjeve më domethënëse të historisë së fundit, që çuan drejt themelimit të shtetit të Kosovës.

“Pasi lajtmotivi i Festivalit ishte shprehja e fuqisë krijuese të artistëve, projektimi i ideve të tyre jokonvencionale, unë zgjodha nga krijimtaria ime pikërisht veprat që shprehnin dy procese të cilat kanë plotësuar rrugëtimin e shtetformimit të Kosovës: Pajtimin e Gjaqeve si dhe Grevën e minatorëve”, theksoi Berisha. Duhet theksuar se këto dy cikle me dhjetëra punime piktori Berisha i ka punuar në krye të 35-vjetorit të ndodhjes së këtyre dy organizimeve të fuqishme socio-politike në Kosovë, në fund të viteve 80-ta dhe në fillim të atyre 90-ta.
Në një territor të madh në periferi të Vjenës, artistët nga vende të ndryshme sa me qasje avangarde, eksperimentuese, apo postmoderne kishin krijuar një hapësirë artistike e cila herë hapej si galeri, herë si sallë koncertale në një analogji imagjinare të një “qyteti artistik”!

“Nga tri kova uji, të vendosura në një lartësi, pikonin curril uji që binin mbi tupanët duke nxjerrë tinguj harmonikë”, riprodhon këtë atmosferë magjike, piktori Berisha i posa kthyer nga Festivali. Po ashtu ai vazhdon të shpalosë impresionet e tij: “Katër shtylla me nga një dritë, në të cilat ishin të lidhura pëlhura valëviteshin duke lëshuar tinguj të mahnitshëm, të padëgjuar ndonjëherë” .
Edhe në hapësirën e ekspozimit të veprave të Mentor Berishës ishin lëshuar zëra që lirojnë planetët gjatë rrotullimit.
“Me qëllim e kam zgjedhë këtë lloj muzike, për të përcjellë simbolikisht mesazhin se në qëndresën tonë ka diçka hyjnore, qiellore të paparë më parë, diçka të pastër kozmike”, tregoi Berisha.

Sipas Berishës artdashësit vjenezë dhe mysafirë të ndryshëm, kryesisht turistë, në numër shumë të madh kishin marrë pjesë në Festival. “Nuk di ndonjëherë që kam pasur më shumë vizitorë, madje jam i lumtur që pata raste t’ua shpjegoj motivet e punimeve të mia, derisa më pyetnin vizitorët”, pohoi ai. Berisha kishte marrë vlerësime, që me aq mjeshtëri kishte transformuar në vepra arti, proceset nëpër të cilat ka kaluar krijimi i shtetit të Kosovës.
Për tri ditë e tri net kishin ngjarë dhjetëra ekzekutime grupore individuale por edhe koncerte qendrore. Në uebfaqen e Festivalit, lexuesit mund të marrin më shumë informacione.
Krahas piktorit Berisha, në këtë Festival kishte qenë edhe regjisori kosovar Yll Berisha, i cili ishte pjesë e një performimi artistik.
