Shtojca për Kulturë

Solidariteti si rezistencë përmes ngjyrave dhe shtresimeve motivuese

Solidariteti si Rezistencë

“Solidariteti si Rezistencë” është një fushë e provokimit artistik të piktorit Mentor Berisha, i cili pas ciklit të pikturave për grevën e minatorëve, që i ekspozoi në tunelin e parë të Galerisë Punuese të Trepçës më 2024, në Gjilan kishte sjellë punimet e ciklit të fundit të frymëzuar nga falja e gjaqeve (Foto: Kushtrim Haxha)

“Dritat dhe ngjyrat e shtresuara përçojnë tensionin e çastit, dinamizmin e aksionit dhe gjallërinë e përbashkët që ngjizet në to. Kjo ekspozitë nuk është vetëm një kujtesë vizuale për të kaluarën, por edhe një formë alternative e eksplorimit dhe reflektimit mbi të”, shkruante kuratori Alban Beqiraj për ekspozitën “Solidariteti si Rezistencë” të Mentor Berishës

Në ditën e përvjetorit të 35-të të takimit më masiv shqiptar, për faljen e gjaqeve, në Vera të Llukës më 1990, për të ripërjetuar dhe rikujtuar atë ngjarje, ka mjaftuar të ngjiten shkallët e Galerisë së Arteve në Gjilan. Aty qytetarët dhe artdashësit gjilanas i ka pritur një tunel i kujtesës, i cili të shpie drejt dhjetëra pikturave të Mentor Berishës, në të cilat në një formë sa ekspresioniste dhe sa surrealiste shpërfaqej një botë artistike, e cila synonte të përngjasonte me një realitet të dikurshëm dhe nëpërmjet ngjyrave, dritë-hijes dhe instalacionit, të tërin ta kthente në një kujtesë kolektive si një trashëgimi të patjetërsueshme.

“Solidariteti si Rezistencë” është një fushë e provokimit artistik të piktorit Mentor Berisha, i cili pas ciklit të pikturave për grevën e minatorëve, që i ekspozoi në tunelin e parë të Galerisë Punuese të Trepçës më 2024, në Gjilan kishte sjellë punimet e ciklit të  fundit, të frymëzuar nga falja e gjaqeve.  Ky cikël pikturash shpaloste rolin e këtij aksioni dhe të tubimeve masive si subjekte politike dhe rezistuese gjatë një prej periudhave më të ndjeshme dhe transformuese në historinë e Kosovës. 
“Në qendër të këtyre punimeve qëndron figura e një kolektivi aktiv e me përmasa masive, i cili bëhet dëshmitar dhe bartës i vullnetit për ndryshim. Solidariteti qytetar, në veprat e Berishës, shfaqet përmes ngjyrave, shtresimeve dhe motivit të karvanëve në lëvizje, ku pjesëmarrësit udhëhiqen nga dëshira e thellë për falje dhe vetëdijesim, duke u bërë pjesë e një lëvizjeje popullore që sfidon rendin e vjetër të izolimit dhe gjakmarrjes”, theksonte kuratori i kësaj ekspozite Alban Beqiraj, në katalogun e saj si dhe në murin e hyrjes në ekspozitë. Po ashtu, Beqiraj kishte veçuar se “përmes një qasjeje ekspresioniste, piktori Berisha përdor teknikën spachtel dhe stilin alla prima, për të krijuar tekstura të trasha që ngjajnë me skulptura të ngritura mbi sipërfaqen e kanavacës – një proces që u jep veprave thellësi emocionale dhe plastike”.

Arti i Berishës të okupon. Ai nuk është për një lexim çasti. Nëse kthehemi dhe kërkojmë gjurmë të kritikës për fushën e pikturimit të situatave masive, do të hasim shumë mendime dhe përballje (Foto: Kushtrim Haxha)

Vizitorët hynin me kureshtje nëpër tunelin që shpinte labirinteve, ku shfaqeshin pikturat që ruanin simbolikën e fushave të pajtimit anembanë Kosovës, kurse herë pas here ndërpritej rryma dhe mbeteshin të ndriçuara vetëm aktet e pajtimit ku vrasësi dhe viktima shtrëngonin duart para një turme. 

“Është tuneli i ëndrrës, i dilemës të fali a të mos fali”, shprehej aktori Avni Dalipi, i impresionuar nga elementi dramatik që bartte ekspozita. Ndonjë vizitor pas mbarimit të udhëtimit artistik nga njëra në tjetrën pikturë, ndalej te muri dhe lexonte përmbylljen e fjalës së kuratorit: “Dritat dhe ngjyrat e shtresuara përçojnë tensionin e çastit, dinamizmin e aksionit dhe gjallërinë e përbashkët që ngjizet në to. Kjo ekspozitë nuk është vetëm një kujtesë vizuale për të kaluarën, por edhe një formë alternative e eksplorimit dhe reflektimit mbi të”. 

Pak më tutje autori Berisha i shpjegonte kryetarit të qytetit të Gjilanit, Alban Hysenit për simbolikën e përdorur dhe për përpjekjet e tij krijuese që të vazhdojë edhe me cikle të tjera të pikturimit të situatave masive nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Drejtori i DKRS-së Kushtrim Zeqiri falënderonte autorin Mentor Berisha që kishte zgjedhur Gjilanin për ta hapur këtë ekspozitë, duke e vlerësuar atë si ngjarje të veçantë.

Pikturimi i situatave masive kolektive është një sprovë e veçantë për artistët në përgjithësi e për piktorët në veçanti (Foto: Kushtrim Haxha)

Prej dokumentimit vizual deri te reflektimi emocional dhe kritik

Pikturimi i situatave masive kolektive është një sprovë e veçantë për artistët në përgjithësi e për piktorët në veçanti. Pse? Historia e artit na shpjegon se kjo formë e artit është një sprovë jo e lehtë për artistët. Çështja është si t’i shmanget një kurthi të ngrehur që nga koha e artit soc-realist që pikturimi i masave ka krijuar një stereotip ideologjik. Por piktori Berisha duke krijuar një narrativë që shpesh mungon në raportimet e zakonshme, ka hedhur shikimin e tij krijues përtej studimeve stereotipe duke u dhënë zë individëve dhe ndjenjave brenda një mase. Andaj kjo lloj pikture mund të ngrejë pyetje mbi drejtësinë, identitetin, pushtetin dhe shpresën, e pajtimin duke e bërë artin as thjesht vetëm si një akt estetik, por aq më parë as edhe vetëm si një akt politik dhe shoqëror.
Shmangien e patetikës dhe idealizimit ideologjik Berisha e arrin nëpërmjet individualizimit brenda masës. Për shembull, portreti i urtakut Anton Çetta shfaqet herë si siluetë e trupit të tij e herë si shkëlqim i fshehur nga turma, por veçohet me ndonjë tipar të tij. 

Kështu që masa mund të shfaqet si një entitet homogjen, por Berisha këtë e ndërlidh me traumën, me dhembjen dhe me shpresën, duke theksuar tipare të veçanta, emocione të dallueshme apo veprime të pavarura si akti i faljes duke krijuar tension ndërmjet të përgjithshmes dhe të veçantës. Në pikturat e Berishës masa është masë e peshores së kohës.

Regjisori Astrit Bytyçi e shihte të mirën e kësaj ekspozite pikërisht te narrativa jolineare. 

“Shikojeni se si krahas pikturave që të ngjallin emocion, instalacioni me najlon ku mungojnë portretet krijon hapësirën përtej kohës dhe flet me një ankth të mungesës”, shprehet Bytyçi.
Me një fjalë në këtë mënyrë, piktura e situatave masive te arti i Berishës nuk bëhet ilustrim i një ideologjie, por krijohet hapësirë për ndjeshmëri, reflektim për debat dhe kujtesë kolektive për trashëgimi për një proces çfarë ishte ai i pajtimit të gjaqeve.

Shih për këtë, drejtori e Galerisë së Arteve në Gjilan, Din Azizi, realizimin e kësaj ekspozite pikërisht në ditën e shënimit të 35-vjetorit të pajtimit të gjaqeve, e vlerësonte me vlerë të dyfishtë.

Piktura e situatave masive te arti i Berishës nuk bëhet ilustrim i një ideologjie, por krijohet hapësirë për ndjeshmëri, reflektim për debat dhe kujtesë kolektive për trashëgimi për një proces çfarë ishte ai i pajtimit të gjaqeve (Foto: Kushtrim Haxha)

Pikturimi i situatave masive, si akt estetik apo politik i krijimit të imazheve

Arti i Berishës të okupon. Ai nuk është për një lexim çasti. Nëse kthehemi dhe kërkojmë gjurmë të kritikës për fushën e pikturimit të situatave masive, do të hasim shumë mendime dhe përballje. Kryesisht përplasjet teorike dhe kritike e shohin këtë segment artisti ndërmjet fakteve si akt estetik apo politik i krijimit të imazheve që përfaqësojnë turma, protestat, ngjarje publike ose ndërhyrje në hapësira të përbashkëta. Pikërisht mbase e vërteta qëndron në ndërhyrjen në hapësira të përbashkëta, andaj kritika është më e veçantë dhe shpesh prek tensionin midis dokumentimit, estetikës, dhe etikës. 

Kështu Claire Bishop sugjeron që kur artistët “pikturojnë” situata masive, qoftë me mjete tradicionale si piktura në kanavacë, apo përmes instalacioneve apo performancave që përfshijnë turma, ka disa rreziqe, si: estetizimi i vuajtjes apo protestës, fiksimi i momenteve fluide apo edhe instrumentalizimi i trupave kolektive.

Ndërkaq filozofi  Jacques Rancière,  pyet për ndarjen e ndjeshmërisë se kush ka të drejtë të flasë në emër të tjetrit në art, kurse Hans Haacke, edhe pse nuk është piktor tradicional, ka trajtuar në mënyrë kritike situata kolektive dhe ka ndikuar që shumë artistë bashkëkohorë të merren me pikturimin e ngjarjeve publike. Ndërsa Thomas Hirschhorn dhe Jenny Holzer përdorin tekst dhe hapësira publike për të përfaqësuar situata masive pa i estetizuar në mënyrë tradicionale.

Natyrisht arti i pikturimit të situatave masive do të vazhdojë të provokojë si artistët ashtu edhe kritikën, por është fatlumtësi që puna e Mentor Berishës në këtë fushë  po shfaqet me plot kreativitet dhe më një qasje mjaft origjinale.