Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
KTV programi

Limaj tha se Buja u kthye në shtëpi të vet

Fundi i javës që vjen do t’i sjellë institucionet e reja për vendin, ka deklaruar lideri i Nismës, Fatmir Limaj. Ai këto deklarime i bëri gjatë zyrtarizimit te Nisma të ish-deputetit e ish-kryetarit të komunës së Lipjanit, Shukri Buja. Buja tha se pavarësisht që janë në koalicion me PDK-në, janë konkurrentë.

Derisa seanca themeltare e Kuvendit të Kosovës është caktuar për të enjten e javës që vjen, lideri i Nismës, Fatmir Limaj, është shfaqur i bindur se Kosova do t’i ketë institucionet e reja, transmeton KTV.

Pavarësisht që janë në një koalicion me PDK-në, gara mes Nismës e PDK-së nuk është ndalur.

Kësaj here, në partinë e Limajt ka aderuar një ish-deputet e ish-kryetar komune i PDK-së.

Shukri Buja, i cili nuk arriti të bëhej pjesë e listës së deputetëve nga PDK-ja, zyrtarisht i është bashkuar Nismës.

Ish-kryetari i Lipjanit, me aktakuzë për korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtare, thotë se nga PDK-ja doli meqë iu mbyllen shtigjet, e një shteg të hapur e gjeti te ish-bashkëluftëtarët e tij.

Lideri i tij i ri, Fatmir Limaj, tha se Buja u kthye në shtëpinë e tij.

Limaj e quajti ditë feste për Nismën, derisa tha se partia është forcuar shumë.

Buja nuk ka dashur të merrej shumë me ish-partinë, por ia ka kujtuar se tash janë konkurrentë, pavarësisht se janë në një koalicion.

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, ishte dënuar me 4 muaj burg me kusht e 2 mijë euro gjobë për fshehje të pasurisë në fundin e 2015-ës.

Në shkurtin e 2017-ës, Prokuroria Speciale e Kosovës pati ngritur aktakuzë për veprat penale të korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare e marrje të ryshfetit.

Ai, bashkë me 9 të tjerë, dyshohet se kanë nxjerrë vendime, me të cilat fillimisht kanë eksproprijuar dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe pronat komunale, me qëllim të eksploatimit të xehes së nikelit.

Artikuj të ngjashëm