Policia e Kosovës ka njoftuar se një punëtor 35-vjeçar ka humbur jetën të hënën në fshatin Mushtsisht të Suharekës, ndërsa dyshohet se ka marrë lëndime të rënda në kokë derisa po punonte.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka njoftuar për KOHËN se Policia ka marrë informata rreth orës 14:30 se në Emergjencën e Suharekës është pranuar një person me lëndime të rënda.
“Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar ekipin mjekësor, i cili ka informuar se kanë pranuar personin P.O., rreth 35 vjeçar, nga fshati Mushtisht, pa shenja jete. Lidhur me këtë incident janë informuar të gjitha njësitet kompetente, përfshirë edhe inspektorin e punës. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se viktima, gjatë punës në një kompani në fshatin Mushtisht, Komuna e Suharekës, duke operuar me një ngarkues (vinç), në rrethana ende të paqarta, është goditur rëndë në kokë. Për shkak të lëndimeve të marra, viktima nuk ka arritur t’i mbijetojë”, ka njoftuar Bytyqi.
Njësitet e hetuesisë, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit kujdestar, janë duke zhvilluar hetimet lidhur me rastin si vepër penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
“Trupi i pa jetë, me urdhër të prokurorit dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka njoftuar Bytyqi.