Kronikë

Vdes një foshnjë e sapolindur në Spitalin e Prizrenit, arrestohen tre mjekë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre mjekë të Spitalit të Prizrenit, pasi që një burrë ka raportuar se foshnja e tij ka vdekur disa minuta pas lindjes dhe se ai dyshon që kjo ka ndodhur si pasojë e mostrajtimit të duhur nga stafi mjekësor.

Sipas raportit të Policisë rasti ka ndodhur të martën në orën 3:50.

Sipas Policisë trupi i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa mjekët e arrestuar janë dërguar në mbajtje dhe dyshohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

“Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se pas lindjes së gruas së tij viktimës femër kosovare, pas disa minutave foshnja ka vdekur dhe ai dyshon se kjo ka ardhur si pasojë e mos trajtimit të duhur nga stafi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë (mjekë) dhe janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Zëdhënësi i Spitalit të Prizrenit Shefajet Berisha ka thënë se nuk kanë njohuri për arrestimet.

“Rasti ka ndodhur dje, gjatë ditës Prokuroria është marr me rastin, kanë ardhur dhe kanë marr foshnjën e kanë dërguar për obduksion, për arrestimet nuk kemi njohuri, ato nuk janë kryer në Spital”, është shprehur ai.
Sa i përket rastit ai ka thënë ta kontaktojmë shefin e repartit të Gjinekologjisë, Sebajdin Gjini, po ai nuk është përgjigjur në thirrjet e KOHËS.