Kronikë

Tre të arrestuar në Pejë për përfshirje në vepra kriminale

Drejtoria rajonale e Policisë në Pejë, ka njoftuar se ka arrestuar tre persona në tri raste të ndryshme, të cilët janë përfshirë në veprimtari penale.

Sipas njoftimit, me 18 shkurt, rreth orës 17:30 minuta Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Istog, është informuar për një rrëmbim në fshatin Drejë të Istogut. Vendit të ngjarjes ju kanë përgjigjur të gjitha njësitet relevente.

Ndërkaq me 22 shkurt, pas një pune operativo-hetimore të njësiteve të hetimeve rajonale është arritur të lokalizohet dhe të arrestohet i dyshuari B. SH. me ç ‘rast është konfiskuar automjeti me të cilin dyshohet të jetë kryer vepra.

“Gjatë bastisjes së automjetit janë gjetur dhe konfiskuar: një revole TT cal. 7.62, dy karikatorë, njëzetë e nëntë fishekë, një maskë dhe një brisk. Viktima e rastit pas intervistimit është liruar dhe i është dorëzuar familjes. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar ndalimi policor për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Po në të njëjtën ditë, Policia njofton se ka arritur të lokalizohet dhe të arrestohet i arratisuri A. R. i cili ishte në vuajtje të dënimit në QK në Lipjan. Të njëjtit i është caktuar ndalimi policor për 24 orë.