Kronikë

Tre punëtorë ndërtimi vdiqën të hënën, pasi u lënduan në dy vendpunishte

Tre punëtorë kanë vdekur vetëm të hënën në bazë të të dhënave të Sindikatës së Sektorit Privat.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka thënë se njëri ka vdekur gjatë trajtimit në QKUK, pasi ishte lënduar më herët në një vendpunishte në rajonin e Istogut, ndërsa dy të tjerë kanë vdekur, pasi janë aksidentuar gjatë orarit të punës në Komunën e Gjakovës, të hënën.

Për vdekjen e dy punëtorëve në Gjakovë janë ndaluar për 48 orë dy të dyshuar me vendim të Prokurorisë Themelore në këtë qytet.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, e njofton opinionin publik se më datën 21.07.2025, është informuar nga Policia e Kosovës për një incident tragjik të ndodhur në një vendpunim, ku si pasojë kanë humbur jetën dy (2) punëtorë. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Po ashtu, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dy (2) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh lidhur me këtë rast, për shkak të veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, thuhet në njoftimin e Themelores. 

Lidhur me dy të pandehurit, Prokuroria ka njoftuar se do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

E, për rastin e punëtorit nga Komuna e Istogu, policia në Pejë e ka konfirmuar vdekjen e tij dhe ka njoftuar se ai ishte lënduar me 24 qershor në vendin e punës. Sipas Policisë, rasti është duke u hetuar.

Me këto raste ka shkruar në 18 numri i të vdekurve këtë vit si pasojë e lëndimeve në vendin e punës, ka njoftuar Sindikata e Sektorit Privat.

Kjo shifër është më e lartë sesa vitin e kaluar, kur vdiqën shtatë punëtorë si pasojë e lëndimeve në vendet e punës, bazuar në të dhënat e Inspektoratit të Punës.

Më 2023 kanë vdekur 11 punëtorë e më 2022, 15.

E në bazë të të dhënave të Policisë, në periudhën janar-mars 2025, janë raportuar 37 raste për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës më herët ka shprehur shqetësim, për siç ka thënë, kushtet e rënda me të cilat përballen punëtorët e ndërtimtarisë në punë.

Në Ligjin për siguri dhe shëndet në punë theksohet se siguria, trajnimi i punëtorëve, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe makinerive janë obligime që duhet t’i zbatojë secili punëdhënës për të punësuarit e tij.