LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria: Në vendin e ngjarjes u gjeten shkelje të rënda të masave për siguri në punë

Pas vdekjes së dy punëtorëve në një objekt ndërtimi në Gjakovë, Prokuroria Themelore ka nisur hetimet dhe ka kërkuar paraburgim për dy përgjegjës të kompanive ndërtimore. Sipas Prokurorisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur shkelje të rënda të masave për siguri në punë. E Inspektorati i Punës ka njoftuar se subjekti është gjobitur edhe më herët për shkelje të përsëritura, ndërsa autoritetet kanë dhënë alarme për rrezikshmëri të lartë në vendin e punës për shkak edhe të kushteve ekstreme atmosferike

Prokuroria Themelore në Gjakovë të martën ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka kërkuar nga Gjykata të caktojë 30 ditë paraburgim për XH. P. dhe A. M., persona përgjegjës të dy kompanive që po ndërtonin objektin nga i cili ranë dy punëtorë të hënën. 

Të dy dyshohen se kanë vepruar në kundërshtim me rregullat mbi masat për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës. 

Prokuroria i akuzon ata për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

“Viktimat derisa ishin duke punuar në ndërtimin e objektit banesor përkatësisht kishin qenë në shkelësen e dërrasës së montuar jashtë kushteve teknike duke bërë demolimin e dërrasave të jashtme të betonit, për një moment dërrasa shkelëse thyhet dhe ata bien nga kati i tretë, në lartësinë nga toka prej nëntë (9)metrash, të cilët gjatë punës nuk kishin jelek dhe helmetë mbrojtëse e as nuk e kishin të vendosur litarin për siguri, si dhe vendi nga ku kanë rënë viktimat nuk kishte skele të vendosura e as parmakë mbrojtës që nuk do të lejonin që punëtorët të binin në tokë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Të hënën u raportua edhe për vdekjen e një punëtori tjetër në QKUK, pas lëndimeve të marra sa po punonte në Istog, 

Lidhur me rastet ka reaguar edhe Inspektorati Qendror i Punës, ku ka njoftuar se subjekti ku ka ndodhur aksidenti në Gjakovë, si pasojë e të cilit vdiqën dy punëtorë, ka qenë dy herë i gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të përsëritura.

Inspektorati, i cili është organ i vetëm përgjegjës për monitorimin e zbatimit të legjislacionit nga fusha e marrëdhënies së punës si dhe sigurisë në punë, ka bërë apel për, siç thuhet, ndërgjegjësim “publik dhe institucional”.

“Duke qenë se aksidentet në vendin e punës përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve, bëjmë thirrje publike për të gjithë punëdhënësit, subjektet afariste dhe institucionet relevante që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, në përputhje me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe aktet nënligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Për rastin ka reaguar edhe Avokati i Popullit, i cili është shprehur se vdekjet e dy punëtorëve në vendin e punës të hënën janë tregues i qartë i gjendjes alarmante që mbizotëron në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, dhe pasojë e mungesës së zbatimit efektiv të standardeve ligjore. 

“Këto raste janë tregues se gjendja me respektimin e të drejtave të të punësuarve, në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, vazhdon të jetë e brishtë”, thuhet në reagimin e institucionit të Avokatit të Popullit.

Në reagimin e tij thuhet se përkundër që institucioni i Avokatit të Popullit më 2024 ka publikuar raport mbi kushtet e punës dhe rekomandime të qarta dhe të zbatueshme, “autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë veprime të mjaftueshme për përmirësimin e gjendjes”. 

Avokati i Popullit ua ka tërhequr vëmendjen autoriteteve për përgjegjësinë që kanë për veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar në zbatim të detyrimeve lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë. 

“Siç është e domosdoshme që Inspektorati i Punës të përmbush detyrimet ligjore, që përmes kontrollit në terren, veçanërisht në sektorët me rrezik të lartë të ndikoj në parandalim të aksidenteve në punë dhe mbrojtje e siguri. Në anën tjetër autoritetet përgjegjëse kanë detyrim të veprojnë me qëllim të një hetimi të gjithanshëm, profesional dhe transparent për secilin rast të aksidentit në punë dhe duke vendos përgjegjësi institucionale në ushtrim të kontrollit efektiv në zbatim të masave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë, si përgjegjësisë së shtetit për respektimin e të drejtës për jetë dhe përgjegjësisë që ka shteti për të garantuar sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës”, thuhet në reagim.

E, Ministria e Shëndetësisë me anë të një komunikate ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22 – 25 korrik 2025.

“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta. Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës gjithashtu përmes një njoftimi ka njoftuar për rreziqet e temperaturave të larta që po mbizotërojnë këto ditë.

IHMK-ja ka thënë se sa i përket motit, Kosova gjendet në zonën e kuqe, e cila llogaritet me rrezik ekstrem.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, nga janari deri në qershor kanë ndodhur 268 aksidente në vendin e punës, prej të cilave 7 me fatalitet.