Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pasi të hënën u raportua për vdekjen e tre punëtoreve si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës.
Në reagim thuhet se subjekti ku ka ndodhur aksidenti në Gjakovë, si pasojë e të cilit vdiqën dy punëtorë, ka qenë më herët dy herë i gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të përsëritura.
“Kjo e bën edhe më të papranueshëm faktin që nuk janë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve”, thuhet në reagim.
Inspektorati, i cili është organ i vetëm përgjegjës për monitorimin e zbatimit të legjislacionit nga fusha e marrëdhënies së punës si dhe sigurisë dhe shëndetit në punë, ka bërë apel për siç thuhet ndërgjegjësim “publik dhe institucional”.
“Duke qenë se aksidentet në vendin e punës përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve, bëjmë thirrje publike për të gjithë punëdhënësit, subjektet afariste dhe institucionet relevante që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, në përputhje me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe aktet nënligjore në fuqi”, thuhet në reagim.
Sipas Inspektoratit në 6-mujorin e parë të këtij vitit janë kryer 4751 inspektime, janë shqiptuar 788 gjoba dhe kanë ndodhur 268 aksidente, prej të cilave 7 me fatalitet.
“Ndërsa nga janari deri më sot kanë ndodhur 7 aksidente me fatalitet dhe kjo është shifra zyrtare nga Inspektorati Qendror i Punës, të gjitha shifrat e tjera që jepen nga persona të tjerë të paautorizuar dhe jo kompetent nuk janë të sakta dhe krijojnë pasiguri dhe dezinformojnë opinionin publikë”, thuhet në reagim.
Në reagimin që është dërguar nga emaili i ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të Inspektoratit Rizah Plakolli, janë përfshirë edhe ankesa për numër të ultë të inspektorëve.
“Është zhvilluar një procedurë për rekrutimin e 60 inspektorëve të rinj, e cila është anuluar nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Pavarësisht kësaj pengese administrative, Inspektorati Qendror i Punës nuk ka ndalur përpjekjet dhe aktualisht është në proces të për rekrutimin e 59 inspektorëve të rinj në të cilën procedurë kanë përfunduar të gjitha vlerësimet e kandidatëve”, thuhet në reagim.