Gersi Gashi nga Qendra për Politika dhe Avokim, ka thënë se zyrtarisht janë lajmëruar shtatë persona të vdekur në vendin e punës që nga fillimi i vitit.
Ai ka thënë se inspektorati duhet të ketë qasje më proaktive sa i përket reagimit të tyre.
Ka shtuar se nuk ka pasur thirrje nga institucionet përkatëse që të punohet me orar të shkurtuar, sidomos për punëtorët e ndërtimit.
“Këtu pastaj pyetja është se ku vihet përgjegjësia. Unë mendoj që përgjegjësia bie të sistemi. Në mungesë të një sistemi të tillë, rastet e tilla vazhdojnë. Vitin e kaluar është lëshuar një komunikatë nga Ministria e Shëndetësisë ku disa kategori të personave janë liruar nga puna. Nuk mendoj që duhet me ardhë pika që gjithmonë një institucion duhet të bëjë thirrje që të respektohet ligji. Sërish vijmë te Inspektorati i Punës”, ka thënë ai.
Sipas tij, ka pasur rritje të numrit të inspektorëve, por jo të cilësisë.
Ka shtuar se do të duhej të kishte ulje të numrit të aksidenteve fatale në vend të punës.
“Buxheti është dyfishu, numri i inspektorëve është rritur e që pritet të rritet ende. Sektori i ndërtimit dhe sektori i prodhimtarisë janë më të prekur nga aksidentet me fatalitet. Të gjitha vdekjet që kanë ndodhur në vendin e punës janë të evitueshme”, ka thënë ai.
Gashi ka deklaruar se në pjesën e ndërtimtarisë, dënimet që shqiptohen nuk po e prodhojnë efektin e duhur. Ka shtuar se vitin e kaluar janë dyfishuar dënimet, nga 500 mijë në 1 milion.
Tre punëtorë kanë vdekur vetëm të hënën në bazë të të dhënave të Sindikatës së Sektorit Privat.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka thënë se njëri ka vdekur gjatë trajtimit në QKUK, pasi ishte lënduar më herët në një vendpunishte në rajonin e Istogut, ndërsa dy të tjerë kanë vdekur, pasi janë aksidentuar gjatë orarit të punës në Komunën e Gjakovës, të hënën.
Për vdekjen e dy punëtorëve në Gjakovë janë ndaluar për 48 orë dy të dyshuar me vendim të Prokurorisë Themelore në këtë qytet.