Kronikë

Tre persona të armatosur grabisin një bankë në Prishtinë

Tre persona kanë grabitur mëngjesin e së premtes nën kërcënimin e armëve filialin e bankës “BKT” në lagjen Dardania në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për KOHËN se rasti ka ndodhur rreth orës 08:40.

“Rreth orës 08:40 është raportuar për një grabitje të ndodhur në filialin e një banke në lagjen Dardania në Prishtinë. Policia ka dalë në vendngjarje dhe nga informacionet e para dyshohet që grabitja është kryer nën kërcënimin e armëve nga tre persona të dyshuar”, ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, është duke vazhduar ndërmarrja e veprimeve të nevojshme policore me qëllim ndriçimin e rastit.

Ndaj grabitjes ka reaguar edhe Shoqata e Bankave të Kosovës.

“Shoqata e Bankave të Kosovës e dënon këtë akt kriminal dhe kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të jenë më të përkushtuara për parandalimin, ndjekjen dhe zbulimin e këtyre rasteve dhe njëkohësisht kërkojmë që institucionet e drejtësisë të sigurojnë faktet e nevojshme për të shqiptuar dënimet më të larta sipas ligjit të cilat do të dekurajonin këto sulme që cenojnë rëndë jetën dhe pronën në Kosovë. Në vitet e fundit sektori bankar është ballafaquar me numër të lartë të sulmeve të armatosura, gjë që paraqet një shqetësim serioz për këtë sektor”, është thënë nga Shoqata.