Kronikë

Të aksidentuarit në Ferizaj i gjendet arma në veturën pa targa

Aksident

Ilustrim

Zbulohet një armë zjarri gjatë trajtimit të një aksidenti trafiku në fshatin Burrnik, Ferizaj

Një armë zjarri është zbuluar në një veturë pa targa gjatë trajtimit të një aksidenti trafiku ku ishte përfshirë ajo në fshatin Burrnik të Ferizajt të dielën.

Policia ka njoftuar se fillimisht ka marrë informatën që në Emergjencën e qytetit po trajtohej një person i lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku.

“Patrulla policore ka shkuar menjëherë në qendrën emergjente, ku ka kontaktuar me stafin mjekësor dhe me të lënduarin, Sh. K., 38 vjeç. Nga informacionet e siguruara, aksidenti kishte ndodhur në aksin rrugor Gaçkë–Burrnik, në fshatin Burrnik, ku ishin përfshirë dy automjete – njëra me targa vendore dhe tjetra pa targa. Në vendin e ngjarjes është angazhuar njësia e trafikut rajonal, e cila gjatë ekzaminimit të veturës pa targa ka zbuluar në pjesën e pasme të saj një armë zjarri (pistoletë)”, thuhet në njoftim. 

Arma është konfiskuar nga njësitë hetimore dhe forenzike, ndërsa i dyshuari është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Hetimet janë në vazhdim, si për aksidentin e trafikut ashtu edhe për çështjen e armës dhe për veprimet e mëtejme do të njoftoheni me raport shtesë.