Ka shkuar në dy numri i të vdekurve nga sulmi i armatosur i të hënës në Shkodër.
Një person i dytë ka vdekur në Spitalin e Shkodrës, raporton "Euronews Albania".
Armando Pali, që punonte në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit Shkodër, vdiq në vendin e ngjarjes.
Sulmi ndodhi në një kafene. Autori raportohet se është kapur nga Policia. Dy persona tjerë kanë mbetur të plagosur.
“Rreth orës 08:50, në lagjen ‘Qemal Stafa’, në ambientet e jashtme të një lokali, dyshohet se shtetasi R. G. ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë janë plagosur shtetasi E. V. (B.), 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe shtetasja M. K., 25 vjeçe, e cila është dëmtuar lehtë. Gjithashtu, si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi A. P., ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe shtetasi L. K. (L.), 31 vjeç. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash ndjekjeje, bënë të mundur kapjen e tij dhe sekuestruan një armë zjarri automatike. Ndërkaq, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Momenti i arrestimit të të dyshuarit për vrasjet:
Sulm i armatosur në Shkodër, një i vdekur e tre të plagosur
Një atentat i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e të hënës në qytetin e Shkodrës, ku si pasojë u vra një person dhe u plagosën rëndë tre të tjerë, raporton “Euronews Albania”.
Sipas informacioneve të para, katër persona po qëndronin në një lokal në zemër të qytetit kur janë qëlluar me breshëri plumbash. Autori ka qenë me skafandër në kokë dhe me veshje ngjyrë kaltër. Ai ka lëvizur në këmbë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.
Për të vrarin raportohet se bëhet fjalë për Armando Palin. Sipas informacioneve paraprake, Pali ishte punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Shkodër, ndërsa më parë ka qenë edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit.
Një prej të plagosurve është identifikuar si Erogen Vaso. Ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Tre të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit rajonal të Shkodrës, ndërsa trupi i viktimës ndodhet ende në ambientet e lokalit ku ndodhi atentati.
A2 CNN ka njoftuar se autori i dyshuar i atentatit është arrestuar nga policia, në përpjekje për t’u larguar nga qyteti.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e atentatit, të cilat mbeten ende të paqarta.