Shtatë persona janë arrestuar me dyshim me dyshim për kontrabandim me armë. Sipas Arbnesh Ajvazit nga Policia e Kosovës, është njoftuar se aksioni i njohur si “Stuhia” është zhvilluar në pesë rajone të ndryshme, në Ferizaj, Gjilan, Prishtinë, Lipjan e Shtërpcë. Cak ishin 13 lokacione.
Ajvazi ka thënë se për një kohë të gjatë është bërë grumbullimi i informacioneve dhe se janë angazhuar disa profile të zyrtarëve policorë. Janë konfiskuara granata, armë të gjata dhe pesë arka me fishekë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë se hetimet lidhen me një numër të grabitjeve që kishin ndodhur në Ferizaj dhe rajonet e Kosovës gjatë vitit 2019 dhe 2020.
Ai ka thënë se fillimisht ishin hetuar e vëzhguar disa persona, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar është marrë vendim që të hetohen edhe persona tjerë që dyshohen se kanë qenë të involvuar në vepra penale të grabitjes dhe kontrabandimit me armë.
“Pas përfundimit të hetimeve, dje më 24 mars të vitit 2021, në bashkëpunim me njësitin rajonal të hetimeve kemi bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj për të na lëshuar urdhëresë për bastisjen e lokacioneve nëpër Kosovë. Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar këtë urdhëresë. Operacioni ‘Stuhia’ është zhvilluar në rajonin e Ferizajt, Gjilanit, Prishtinës, Lipjanit dhe Shtërpcës. Nga ky operacion janë ndaluar shtatë persona, që prokurori i shtetit pas shqyrtimit të kërkesës do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Jashari.
Policia gjatë këtij operacioni të gjerë policor ka angazhuar rreth 230 zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, te cilët kanë qenë të angazhuar edhe në kontrollin dhe bastisjen e lokacioneve të dyshuara, ku në cilësi të provave materiale kanë sekuestruar: 3 Granatahedhës dore (Trobllon), 6 Mbushës granatahedhësi, 1 Granatahedhës dore ( zollë ), 2 Armë e gjatë AK-47, 1 Armë gjuetie, 6 Armë e shkurtër- 100 municion, Arka me municion të kalibrit 7,62 mm, 5 arka të mëdha me fyshek ( AK-47)- 8250, 12 Arka të vogla me fyshek ( AK-47) 180, 8 karikator ( 4 të mbushur)- 120, Total 8550, 1 Mjete për pastrimin e armëve, Pjesë të pushkëve -Disa kondak, 1- Dylbi, 4-Automjete, 1 Telefon, m2-Llaptop, 2-USB, 1 Shufër dhe 1 Pranga.