Kronikë

Prokuroria nis hetimet pasi një foshnjë e pajetë u gjet në mbeturina në Prishtinë

Hetim i vdekjes

Foto ilustrim

Një foshnje e pajetë është gjetur në një qese të zezë pranë një deponie të mbeturinave në Prishtinë, ka njoftuar për KOHËN Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Prokuroria njoftoi se po ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet hetimore për këtë çështje.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Prokurori kujdestar është njoftuar për rastin aktual, është në ndërmarrjen te gjitha masave dhe veprimeve hetimore për këtë çështje”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës njoftoi se informata mbi këtë ngjarje është pranuar rreth orës 11:00, ku foshnja e braktisur është gjetur në rrugën “Qëndresa” në Prishtinë.

Mjekët emergjentë kanë konstatuar se foshnja e porsalindur është gjetur pa shenja jete.

“Sot rreth orës 11:00, policia ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për një foshnje të braktisur në afërsi të deponisë së mbeturinave në rrugën ‘Qëndresa’ në Prishtinë. Të gjitha njësitë relevante  policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se  foshnja e porsalindur është pa shenja jete. Përderisa trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, me seriozitet është duke u trajtuar rastin dhe ka iniciuar një hetim mbi vdekjen”, thuhet në njoftimin policor për KOHËN.

Autoritetet policore bënë thirrje që kushdo që ka informacion mbi këtë çështje të kontaktojë Policinë.