Dy persona në raste të ndryshme janë plagosur të shtunën në Prishtinë e Suharekë.
Rasti në Prishtinë ka ndodhur në rrugë “Mark Sopi”. Sipas raportit 24-orësh të Policisë, viktima është plagosur nga dy persona të panjohur.
“Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja dhe një fishek”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se të dyshuarit gjenden në arrati, përderisa rasti po hetohet nga njësitet kompetente policore.
Ndërkaq në Suharekë rasti ka ndodhur në fshatin Shirokë, ku siç raportohet pas një mosmarrëveshje verbale mes tre personave, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri duke qëlluar viktimën. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Suharekë e pastaj është dërguar në spitalin e Prizrenit i cili pas intervenimit kirurgjik është liruar. Rasti në procedurë hetimore.