Kronikë

Plagoset një e mitur në Vushtrri, i dyshuari në arrati

Plagosje

Foto: Ilustrim

Një vrasje e rëndë në tentativë ka ndodhur të enjten në Vushtrri. 

Një burrë ka raportuar në Polici se në drejtim të tij dhe familjes ka shtënë me armë një burrë, duke lënë të plagosur vajzën e mitur të vëllait të tij. 

“Ankuesi mashkull kosovar,  ka njoftuar policinë se në drejtim të tij dhe familjes së tij ka shtënë dy herë me armë i dyshuari mashkull kosovar, ku ka mbetur e plagosur në krah vajza e vëllait të ankuesit (e mitur). Viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë. 

I dyshuari thuhet se pasi e ka kryer veprën është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është në kërkim të policisë. 

“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë (pushkë 10-she) dhe 14 fishekë. Rasti në hetime”, thuhet në raport.