Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Paraburgim e arrest shtëpiak të dyshuarve që u përfshinë në vdekjen e gruas në Malishevë

Arrestim

Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Xh.K. e një muaj arrest shtëpiak të pandehurës H.K., lidhur me rastin e vdekjes së gruas që iu komplikua gjendja pas heqjes së dhëmbit.

Sipas njoftimit të së enjtes, Xh.K. dyshohet se ka kryer veprat penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore”, e e pandehura dyshohet për “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore” dhe “raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

“Sipas kërkesës i pandehuri Xh. K., me datën 22.08.2023, në Ordinancën ‘D. në Malishevë, në cilësinë e stomatologut gjatë dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësorë përdorë metoda të papërshtatshme të mjekimit ndaj tani të ndjerës L. Sh. nga fshati N., Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që pasi që e njëjta shkon në ordinancën e cekur më lartë për ta hequr një dhëmbë, këtu i pandehuri përdorë medikamentet si calcium, lemod-solu, alergosan, e ku pas heqjes së dhëmbit me të dal pacientja – e ndjera në oborr të ordinancës i keqësohet gjendja- humb vetëdija, me të shpejtë dërgohet në QKMF-Malishevë, e ku me pas e njëjta ka ndërruar jetë si shkak i metodave dhe terapisë së përdorur nga ana e të pandehurit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndërsa, H.K., motër e të pandehurit, po dyshohet se pa kualifikim mjekësor ka kryer trajtime mjekësore, ndërsa ka të kryer shkollimin fillor me profesion rrobaqepëse.

“Po ashtu nga koha e pacaktuar e gjerë me datë 22.08.2023, me dashje dhe pa autorizim falsifikon dokumentin në emër të institucionit tjetër dhe atë të QKMF-së në Malishevë, në atë mënyrë që e njëjta si pronare e biznesit ‘D.’, me rastin e inspektimit në këtë ordinancë i janë gjetur 18 vërtetime për nxënës dhe student si dhe 16 udhëzime për konsultim të QKMF-së në Malishevë, të gjitha këto dokumente të zbrazëta mirëpo të vulosura me vulën e QKMF-së, pa autorizim nga institucioni përkatës”, thuhet tutje.