Burgim i përjetshëm është dënimi që u është shqiptuar një shqiptari dhe një xhamajkan të premten në Londër, për vrasjen e dy shqiptarëve të para dy vitesh në Londër. Atyre u është caktuar po ashtu masa që pas 30 vjetësh të dalin para komisionit rivlerësues.
Shkëlqim Paja 36-vjeçar dhe Arbër Fesko 30-vjeçar u gjetën të vdekur nga therjet në Londrën veriperëndimore më 19 dhjetor 2019.
Trupi i Feskos u gjet në pjesën e pasme të veturës së Pajës, ndërsa Paja u gjet në një vend tjetër.
Tani gjykata ka dënuar për këto vrasje shqiptarin 44-vjeçar, Besnik Berisha, dhe xhamajkanin 33-vjeçar, Kiziku Tuwizana.
Sipas gjykatës, Paja kishte telashe me Berishën pasi ky i kishte borxh para në vlerë prej rreth 15 mijë funtesh. Kur ai i kërkoi paratë, Berisha angazhoi kidnapimin dhe vrasjen e Pajës, siç raporton BBC. Por diçka dështoi në plan dhe Paja e Fesko u therën në rrugë.
E veja e Pajës, Rezarta, ka qarë në gjykatë teksa në seancë u shpreh se bashkëshorti i është vrarë në mënyrë brutale e barbare.
Edhe
Burgim i përjetshëm shqiptarit që vrau mësuesen britanike në Londër
“Burri im është therur 28 herë në trupin e tij. Nuk do ta dimë kurrë si ndihej ai në fund, çfarë dhimbje ka pasur. Këto janë mendimet që më vijnë në kokë përditë”, ka thënë ajo.
Vëllai binjak i Feskos, Seldi, ka thënë se vëllai i tij është vrarë nga vrasës gjakftohtë.