Gjykata Themelore në Prishtinë të premten ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dy persona të dyshuar për propagandë ekstremiste dhe përkrahje të organizatës terroriste ISIS.
Sipas njoftimit zyrtar, masa është vendosur ndaj të pandehurve D.B. dhe E.B., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” si dhe “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj në formacione paraushtarake jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.
Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të datës 1 prill, duke vlerësuar se ekziston rreziku që të pandehurit të arratisen, të ndikojnë në prova apo në dëshmitarë, si dhe mundësia reale për përsëritje të veprave penale.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në fshatin Shashkoc të Komunës së Prishtinës, ku nga një periudhë e pacaktuar e deri më 1 maj 2025, përmes rrjeteve sociale si TikTok dhe Facebook, kanë publikuar video dhe postime që shprehin qartë përkrahje për ideologjinë e ISIS-it.
Ata kanë vendosur flamuj të kësaj organizate në çatinë e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafitë me shkronja arabe dhe kanë publikuar video ku shfaqen me simbolika të ISIS-it. Në njërën prej tyre, i pandehuri D.B. shihet duke e shfaqur fytyrën para një shtëpie ku valëvitet flamuri i ISIS-it, duke shprehur armiqësi ndaj institucioneve të Kosovës, Forcave të Sigurisë (FSK), liderëve politikë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjykata vlerësoi se pesha e veprave penale dhe rrezikshmëria e tyre shoqërore janë tejet të larta, dhe se paraburgimi është masa e vetme e përshtatshme për të garantuar zhvillimin e procedurës penale.