Kronikë

Një kosovar dyshohet se shkaktoi aksident me vdekje në Kroaci

Një shtetas i Kosovës, 59-vjeçar, dyshohet të jetë shkaktari i aksidentit që la të vdekur një 28-vjeçar boshnjak në orët e para të së shtunës në rrugën shtetërore në qytetin e Baçinës në Kroaci, raporton “Jutarnji”.

Aksidenti, sipas mediave kroate që iu kanë referuar burimeve të Policisë, ka ndodhur pasi shtetasi kosovar ishte duke lëvizur nga Spliti në drejtim të Dubrovnikut dhe për shkak të shpejtësisë ka humbur kontrollin e mjetit me targa gjermane dhe ka dalë në korsinë e kundërt, duke goditur veturën e 28-vjeçarit, që ishte ndalur skaj rrugës.

Nga përplasja, 28-vjeçari boshnjak vdiq në vendngjarje, ndërsa një grua 28-vjeçare, pasagjere, pësoi lëndime të lehta. Një fëmijë njëvjeçar shpëtoi pa lëndime.

Shtetasi i Kosovës që shkaktoi aksidentin ka pësuar lëndime të rënda dhe është transportuar në spitalin e Splitit, ku po mbahet për trajtim të mëtutjeshëm. Pasagjerë në automjetin e tij ishin një grua 52-vjeçare, një 23-vjeçare dhe një 21-vjeçare, të gjitha shtetase të Kosovës, kanë shpëtuar pa lëndime.

Më herët, në Kroaci, nënë e bijë nga Kosova vdiqën nga një aksident i rëndë në dalje të Ravçës në autostradën A1. Babë e bir po trajtohen në spitalin e Splitit.