Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një grua vritet në Pejë, i dyshuar djali i saj

Një grua, rreth 60-vjeçare, është vrarë në Pejë pasditen e së premtes, ka konfirmuar Policia e Kosovës. I dyshuari, djali i viktimës, është arrestuar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka treguar se rasti është raportuar në Polici rreth orës 16:00. Ai ka thënë se me të arritur në vendin e ngjarjes, Policia ka parë se bëhet fjalë për vrasje të rëndë.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Mbreti Zog”. Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi kujdestar.

Prokurorja e rastit tragjik në Pejë, Sahide Gashi, ka thënë se i dyshuari për vrasjen e nënës së tij, nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë. Ajo ka thënë se intervistimi i tij pritet të bëhet të shtunën.

Në një konferencë për media, ajo ka deklaruar se do të urdhërohet ekzaminimi i të dyshuarit në Institutin e Psikiatrisë.

Ajo ka thënë se janë siguruar edhe dëshmitarët okularë.