Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aksidenti me fatalitet në Studime, shoferi i dehur po voziste në kahje të kundërt

Foto nga vendi i ngjarjes

Foto nga vendi i ngjarjes

(E përditësuar 11:43) - Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se është arrestuar shoferi i automjetit që e ka aksidentuar automjetin tjetër ku mbeti e vdekur 52-vjeçarja në rrugën Mitrovicë - Prishtinë, saktësisht në fshatin Studime, në orët e para të së enjtes. 

Sipas njoftimit, ai në gjendje të dehur ka vozitur veturën në shiritin e kundërt të rrugës. Në njoftim thuhet gjithashtu se lëndime serioze kanë pësuar edhe shoferi e tre pasagjerë, të cilët po trajtohen në QKUK.

“I dyshuari mëngjesin e sotëm në fshatin Studime në magjistralen Mitrovicë – Prishtinë, në gjendje të dehur ka vozitur veturën në shiritin e kundërt të rrugës duke shkaktuar një aksident me një veturë tjetër, ku për pasojë një grua ka mbetur e vdekur, ndërkaq shoferi dhe tre (3) pasagjerët kanë marrë lëndime serioze dhe po marrin tretman mjekësor ne QKUK”, thuhet në njoftim.

Rasti është iniciuar si “Ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur”.


Një e vdekur dhe pesë të lënduar pas aksidentit në rrugën Mitrovicë – Prishtinë

(09:09) - Një grua 52-vjeçare ka mbetur e vdekur dhe pesë persona kanë pësuar lëndime pas një aksidenti mes dy automjeteve në orët e para të së enjtes (sot) në rrugën Mitrovicë – Prishtinë, në fshatin Studime.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se ekipet emergjente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillohen hetime për të konstatuar shkaqet e aksidentit. 

Edhe Aktakuzë ndaj personit që në gjendje të dehur shkaktoi aksident me fatalitet në Mitrovicë Kronikë Aktakuzë ndaj personit që në gjendje të dehur shkaktoi aksident me fatalitet në Mitrovicë

“Rreth orës 05:00, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në fshatin Studime, ka ndodhur një aksident trafiku, ku janë përfshirë dy automjete. Aksidenti ka rezultuar me pasoja fatale, pasi një grua 52-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa pesë persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Ekipet emergjente dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa Policia po zhvillon hetime për të zbardhur shkaqet e aksidentit”, ka thënë Hoxha.

Për shkak se ditëve të fundit ka pasur aksidente në rritje me fatalitet, Hoxha ka bërë apel te shoferët që të jenë më të kujdesshëm, të respektojnë shenjat e trafikut dhe kushtet e rrugës.

“Mos përdorni telefonin gjatë vozitjes, sepse shpërqendrimi mund të jetë fatal për ta dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik”, ka thënë ai.