Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-zyrtares së OSBE-së në Kosovë, Jelena Gjukanoviq, nën dyshimin për spiunazh.
Gjukanoviq akuzohet se deri më 28 shkurt të këtij viti, kur është arrestuar, ka siguruar dhe ka shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë të Republikës së Serbisë (BIA).
Ajo akuzohet se ka marrë udhëzime nga i dënuari për spiunazh Aleksandar Vlajiq.
“E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë J.GJ. nga pozita e saj në OSBE, dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh A.V., gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, poashtu ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzë, ka njoftuar Prokuroria Speciale.
Sipas provave të siguruara gjatë hetmeve, dyshohet se Gjukanoviq ia ka transmetuar informacionet e siguruara zyrtarëve të lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit dhe L.B.
Me L.B. dyshohet se është takuar në Beograd.
“Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë. Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, e pandehura të shpallet fajtore për veprën penale që i vihen në barrë dhe ndaj saj të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.