Prokuroria ka prezantuar provat që tregojnë se Jelena Gjukanoviq ka spiunuar për BIA-n serbe. Sipas prokurorit special, Bekim Kodraliu, Gjukanoviqi me vetëdije ka kryer veprime të përsëritura duke përcjellë informacione të dokumentuara për agjentin rezident të BIA-së, Aleksandër Vllajiq, por ka marrë edhe detyra
Fotografi e komunikime janë prezantuar të premten si dëshmi në gjykimin ndaj Jelena Gjukanoviqit, e cila akuzohet për veprën penale “Spiunazh”.
Prokuroria Speciale e akuzon Gjukanoviqin se si zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë ka kryer veprime të përsëritura duke përcjellë informacione të dokumentuara për agjentin rezident të agjencisë serbe të inteligjencës, Aleksandër Vllajiq, të cilat pastaj janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s.
“Në një moment ka aplikuar metodën e fotografimit të raporteve që ka pas para zyrës së saj dhe agjentit të BIA-së. Vllajiq i ka dërguar fotografinë se si duket në këtë pjesë. Teksti tregon në pjesën e mesazhit. Në fund e rëndësishme përmbajtja e këtyre dokumenteve ka të bëjë me sulmet terroriste në zyrat e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë Bekim Kodraliu, prokuror special.
Prokurori Kodraliu tha se dokumentet e siguruara përfshijnë analiza të brendshme të sigurisë, si dhe raporte mbi aktivitetet e Policisë. Ai tha se Gjukanoviq ka marrë edhe detyra nga BIA.
“Komunikimet e siguruara tregojnë qartë se e pandehura jo vetëm që ka dërguar këto dokumente dhe informacione por ka marrë udhëzime dhe detyra direkte nga agjenti i BIA-së, Vllajiq lidhur me mbledhjen e informacioneve, targetimin e individëve të caktuar e në veçanti është udhëzuar se si të shkruajë edhe raportet e OSBE-së në lidhje me situatën në Kosovë”, ka theksuar Kodraliu.
Pranimin e raporteve dhe informacioneve të marra nga e pandehura Gjukanoviq, e ka pranuar edhe Aleksandër Vllajiq, i cili e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.
Prokurori Kodraliu tha se e akuzuara Gjukanoviq me dashje i ka shërbyer dhe ka ndihmuar BIA-në serbe për krijimin e një narrative armiqësore ndaj shtetit të Kosovës.
Edhe
Prokuroria kërkon 25 vjet burgim për të akuzuarën për spiunazh, Jelena Gjukanoviq
“Me dashje direkte iu ka shërbyer dhe ka ndihmuar një shërbim të huaj informativ në këtë rast shërbimin informativ serbe i njohur si BIA duke kontribuuar po ashtu edhe në krijimin e një narrative armiqësore ndaj shtetit të Kosovës duke rrezikuar rendin kushtetues, sigurinë kombëtare, rrezikimin serioz për jetën dhe personale të zyrtarëve shtetërorë të vendit, qytetarëve të vendit e po ashtu edhe personelin e OSBE-së misionit në Kosovë”.
Në fillim të seancës, e pandehura Gjukanoviq përsëri është deklaruar e pafajshme për veprën për të cilën akuzohet.
Ajo është arrestuar më 28 shkurt të vitit të kaluar, nën akuzën se ka shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme tek Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Serbisë.