Prokuroria Speciale i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që ta shpallë fajtore Jelena Gjukanoviqin, e cila është e akuzuar për veprën penale spiunazh, dhe që ta dënojë atë me 25 vjet burgim. Sipas Prokurorisë, e pandehura, si zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, e ka ndihmuar BIA-n e Serbisë me dërgimin e dokumenteve me përmbajtje sensitive për çështje politike dhe të sigurisë në vend
Burgim në kohëzgjatje prej 25 vjetësh ka kërkuar Prokuroria Speciale për të akuzuarën për spiunazh, Jelena Gjukanoviq, e që është maksimumi për këtë vepër penale.
Gjukanoviq ngarkohet se si zyrtare e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka kryer veprime të përsëritura, duke përcjellë informacione për agjentin rezident të agjencisë serbe të inteligjencës, Aleksandër Vlajiq, të cilat më pas janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s në Beograd.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProkurori special, Bekim Kodraliu, në fjalën e tij përfundimtare, të enjten, ka thënë se e pandehura e ka ndihmuar BIA-n me dërgim të përmbajtjes sensitive për çështje politike dhe të sigurisë në vend.
“Transmetimi i informacioneve e i dokumenteve dhe i të dhënave sensitive, të fotografive të ndryshme janë bërë përmes telefonave të cilat i janë sekuestruar dhe ekzaminuar. E pandehura, përpos komunikimeve telefonike ka zhvilluar edhe takime fizike si me agjentin e BIA-s, tani me të dënuarin për spiunazh, Aleksandër Vlajiq, dhe me zyrtarët e tjerë të saj, si Lubisha Bukviq”, ka theksuar Kodraliu.
Prokurori Kodraliu është shprehur se Gjukanoviqi, në ditën kur ka ndodhur sulmi terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Mitrovicë të Veriut në vitin 2022, pati komunikim me tani të dënuarin në shkallë të parë për të njëjtën vepër penale, Aleksandër Vlajiq.
“Sipas fotografive të dërguara në ditën kritike, nga ana e të pandehurës tek agjenti i BIA-së, Vllajiq, dokumenton më së miri rolin aktiv të saj të kësaj veprimtarie. Përpos fotografive, respektivisht raporteve të OSBE-së, të cilat i fotografon dhe ia dërgon agjentit të BIA-s, e njëjta i dërgon edhe mesazhe duke dhënë edhe sqarime. ‘Okej, mendoj se i thashë të gjitha. Megjithatë, disa janë e të tjerat nuk i kam shkruar. Por mirë, do ta kuptojnë’”, ka thënë Kodraliu.
Sipas prokurorit, provat dëshmojnë për një veprimtari të organizuar, të qëllimshme dhe të vazhdueshme për periudhë disavjeçare.
E mbrojtësi i të pandehurës, avokati Predrag Milkovq, e ka kërkuar lirimin e saj.
“Jelena Gjukanoviq nuk mund të gjykohet për shkak të historisë, raporteve të dy shteteve apo aktgjykimeve të të tjerëve, ajo mund te gjykohet vetëm në baze të provave”, ka thënë Milkoviq.
Vetë Gjukanoviq e ka mbështetur atë që e ka thënë avokati Milkoviq.
Jelena Gjukanoviq është arrestuar më 28 shkurt të vitit 2025.