Kronikë

Në dy raste të ndara arrestohen 6 të dyshuar për trafikim me substanca narkotike

Policia e Kosoves

Policia e Kosovës ka njoftuar se në dy raste të ndara ka arrestuar 6 persona të dyshuar për trafikim e kultivim të substancave narkotike. 

Në rastin e parë që ka ndodhur në Ferizaj thuhet se në flagrancë janë arrestuar dy persona të dyshuar për për trafikim me substanca narkotike.

Operacioni thuhet se është zhvilluar në dalje të autostradës “Arbër Xhaferi”. 

Personat e dyshuar thuhet se janë ndaluar kur po udhëtonin me një veturë nga drejtimi i Prishtinës në Ferizaj. 

“Gjatë kontrollit është konstatuar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e ndarë në disa paketime, mjete të tjera përkatëse dhe para të gatshme në valuta të ndryshme. Bazuar në veprimet e mëtejme hetimore dhe dyshimet e ngritura, është kryer edhe kontroll në një lokacion banimi në Prishtinë, ku janë sekuestruar prova shtesë që lidhen me rastin, përfshirë substancë të dyshuar narkotike në sasi të konsiderueshme, pajisje për matje, material ambalazhues dhe para të gatshme”, thuhet në njoftim.

Në total në këtë rast thuhet se janë sekuestruar mbi 1.6 kg substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, dy automjete, dy telefona mobilë, pajisje për ndarjen e lëndës narkotike dhe një shumë prej 6.265 euro para të gatshme.

Të arrestuarit thuhet se janë ndaluar për 48 orë. 

Rasti i dytë ka ndodhur në Gjakovë. Atje thuhet se janë arrestuar 4 persona që dyshohet se kanë lidhje me rastin e kultivimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, që kishte nisur më 23.04.2025 në Prizren.

“Gjatë këtij operacioni paraprak ishin sekuestruar rreth 175 bimë kanabis. Sot, gjatë arrestimit të të dyshuarit tjetër në Prishtinë, është kryer edhe një bastisje ku janë sekuestruar 461 gramë kokainë, një veturë Golf 7, para të gatshme dhe telefona mobilë”, thuhet në njoftim.

Të arrestuarit thuhet se janë ndaluar për 48 orë. 

Për këtë rast një i dyshuar tjetër thuhet se është në kërkim nga autoritetet.