Kronikë

Merdar, sekuestrohen mbi 119 mijë € të padeklaruara në veturën me targa e drejtues serb

para te sekuestruara

Policia e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdar në një veturë me targa të Serbisë dhe me drejtues e pasagjer me shtetësi serbe  ka sekuestruar mbi 119 mijë euro të padeklaruara. 

“Me datën 03.07.2025 rreth orës 21:30, në dalje të pikës kufitare Merdare, zyrtarët policorë kufitarë kanë përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë të kontrollit, automjetin me targa të Serbisë me drejtues si dhe pasagjer meshkuj me shtetësi të Serbisë, pasi që fillimisht pasagjeri kishte deklaruar se posedonte 18 000 euro me vete”, thuhet në njoftim. 

“Gjatë kontrollit të detajuar nga ana e policëve kufitarë dhe zyrtarëve doganorë, në vende të ndryshme: në trupin e drejtuesit të automjetit, në një çantë në ulësen e prapme, poshtë ulëses së pasagjerit dhe në kulmin e automjetit/panoramën lëvizëse janë gjetur gjithsej 119,180 (njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e njëqind e tetëdhjetë) euro, kartëmonedha (10, 20, 50, 100 dhe 200-she) të padeklaruara”, thuhet tutje në komunikatë.

Të gjitha mjetet monetare të padeklaruara 119,180 euro thuhet se janë sekuestruar përkohësisht dhe u janë dorëzuar zyrtarëve doganorë për trajtim dhe procedim të mëtutjeshëm.