Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Mbetet në fuqi aktakuza kundër 13 policëve të akuzuar për ryshfet

Gjykata e Apelit e Kosovës, duke vendosur sipas ankesave, e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 16.04.2018, me të cilin ishin refuzuar si të pabazuara kërkesat e trembëdhjetë të pandehurve për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore, e cila ka marrë miratimin e shkallës se parë, të pandehurit S. H., B. S., H. Sh., A. H., Z. Sh., A. B., A. B., R. H., E. H., N. H., J. T., A. M. dhe S. H., akuzohen për shkak të veprës penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër të cilën dyshohet ta kenë kryer në cilësi të zyrtarit policor.

Gjykata e Apelit e Kosovë vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt kur ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të pandehurve për hedhjen e aktakuzës si të pabazuar, në bazë të nenit 249 par.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, meqenëse nuk paraqiten asnjë nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të këtij kodi.