Kronikë

Aktakuzë në Prizren, polici dhe qytetari akuzohen për ryshfet

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve A.K. dhe B.C., për shkak të dyshimit për marrje dhe dhënie të ryshfetit, si dhe për kalim të paautorizuar të vendkalimeve kufitare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K., më 22 dhjetor, rreth orës 08:10, në pikën kufitare në Vërmicë, në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga i pandehuri B.C., me qëllim të përfitimit pasuror. 

Duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, ai i ka mundësuar B.C., hyrjen në Kosovë, ndonëse këtij të fundit i ishte refuzuar hyrja nga Policia për mungesë dokumentacioni. 

“Pas marrjes së parave, A.K., e ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin me veturën e tij, bashkë me të pandehurin B.C., dhe e ka dërguar atë në Prizren. Me këto veprime, A.K., ka kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’ ndërkaq B.C., ka kryer veprat penale ‘Dhënia e ryshfetit’ dhe ‘Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare’ të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. 

Po ashtu, ka propozuar që të pandehurit A.K., përveç dënimit kryesor, t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues - ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.