Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Tre zyrtarë policorë mes gjashtë të arrestuarve për keqpërdorim detyre e ryshfet

Policia

Nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim e ryshfet, të enjten janë arrestuar gjashtë persona, tre prej të cilëve janë zyrtarë policorë. Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale për çështje pronësore. Gjatë aksionit janë sekuestruar para e dokumente, të cilat do të shërbejnë si prova materiale. Aksioni është kryer në Prishtinë, Fushë-Kosovë e Obiliq

Gjashtë persona, përfshirë tre zyrtarë policorë janë arrestuar të enjten dhe janë dërguar në ndalim 48 orësh me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim e ryshfet.

Arrestimet u kryen në Prishtinë, Fushë-Kosovë e Obiliq nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Inspektoratin Policor si dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Prokurorisë, dyshohet se F.S., L.R., N.S. A.I., A.Sh., dhe B.B., janë përfshirë në aktivitete kriminale për çështje pronësore.

“Sipas dyshimeve fillestare dhe veprimeve hetimore të ndërmarra deri në këtë fazë të hetimeve, të dyshuarit në bashkëveprim, dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me përfitime të kundërligjshme pasurore, përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të tyre. Në kuadër të këtij aksioni, prokurori i shtetit ka sekuestruar: dy (2) vetura në vlerë rreth 80.000 euro, një (1) orë dore të markës Rolex në vlerë afro 8000-10.000 euro, pesë (5) telefona celularë, si dhe dokumente të tjera të cilat do të shërbejnë si prova materiale në këtë procedurë penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në Inspektoratin Policor të Kosovës kanë bërë të ditur se pos tre zyrtarëve të arrestuar është intervistuar edhe një zyrtar tjetër policor, i cili më pas është liruar.

IPK-ja ia ka rekomanduar Policisë, suspendimin e të katër zyrtarëve policorë.

“Pas intervistimit tre zyrtarë policorë janë arrestuar dhe me vendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse ndaj një zyrtari tjetër rasti do të vazhdoj në procedurë të rregullt. Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për 4 zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Me njoftim të enjten ka dalë edhe Policia. Sipas këtij institucioni, aksioni është rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve të iniciuara nga vetë Policia.

“Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime konkrete operative dhe hetimore për një periudhe disa mujore, ndërsa për të gjitha dyshimet e ngritura për përfshirjen e disa zyrtarëve janë njoftuar me kohë organet kompetente të drejtësisë dhe Inspektorati Policor i Kosovës, me të cilët është zhvilluar bashkëpunim dhe koordinim i ngushtë gjatë gjithë procesit hetimor”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Prokuroria ka njoftuar se brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë në Gjykatë për caktimin masave të sigurisë në procedurë penale ndaj të pandehurve.

Kjo prokurori, aksion ka ndërmarrë edhe të mërkurën, kur janë arrestuar pesë persona, mes tyre edhe të Agjencisë së Kadastrës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.