Artikull i përditësuar (15:53) - Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se nga aksioni i sotëm në tri komuna nën dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrime e ryshfet dhe vepra të tjera, janë arrestuar gjashtë persona.
F.S., L.R., N.S. A.I., A.Sh., dhe B.B. janë ndaluar për 48 orë. Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, “Mashtrimi”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Deklarimi i rremë nën betim”, “Marrja e ryshfetit”, “'Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit” si dhe “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE në mesin e të arrestuarve tre janë zyrtarë policorë. Kjo u konfirmua nga Policia që ka thënë se aktivitetet sotme policore janë rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve të iniciuara nga vetë Policia.
“Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime konkrete operative dhe hetimore për një periudhe disa mujore, ndërsa për të gjitha dyshimet e ngritura për përfshirjen e disa zyrtarëve janë njoftuar me kohë organet kompetente të drejtësisë dhe Inspektorati Policor i Kosovës, me të cilat është zhvilluar bashkëpunim dhe koordinim i ngushtë gjatë gjithë procesit hetimor. Policia e Kosovës sipas informacioneve që posedon, nga autoritetet kompetente gjatë operacionit janë arrestuar dhe derguar në mbajtje tre (3) zyrtarë policorë, ndaj të cilëve do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore në përputhje me autorizimet dhe kompetencat e institucioneve përgjegjëse”, thuhet në njoftim.
Po ashtu është njoftuar se Prokuroria ka sekuestruar dy vetura në vlerë rreth 80.000 euro, një orë dore të markës Rolex në vlerë afro 8000-10.000 euro, pesë telefona celularë, si dhe dokumente të tjera të cilat do të shërbejnë si prova materiale në këtë procedurë penale.
“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e ndonjërën prej masave të sigurisë në procedurë penale ndaj të pandehurve”, thuhet në njoftim.
Bastisje në disa lokacione, dyshime për keqpërdorim detyre dhe ryshfet
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se në koordinim dhe bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, janë duke u zhvilluar dy aksione të ndara në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Sipas njoftimit, aksionet po realizohen në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për bastisjen e pesë personave zyrtarë dhe dy personave civilë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Të dyshuarit po hetohen për disa vepra penale, përfshirë “Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkeljen e fshehtësisë së procedurës”, “Marrjen e deklaratave me anë të shtrëngimit”, “Keqpërdorimin e informatës zyrtare”, “Mashtrimin”, “Legalizimin e përmbajtjes së rreme”, “Marrjen e ryshfetit” dhe “Dhënien e ryshfetit”.
Sipas dyshimeve fillestare dhe veprimeve hetimore të ndërmarra deri në këtë fazë, të dyshuarit në bashkëveprim dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me përfitime të kundërligjshme pasurore përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të tyre.
Po ashtu, pesë personat zyrtarë dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare duke tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të mundësimit të përfitimeve të kundërligjshme pasurore.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin.