Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur ta lirojë nga paraburgimi të pandehurin M.M, të cilin Prokuroria Speciale e dyshon si të përfshirë në grupin kriminal për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar avokati Miodrag Bërklaç. I pandehuri M.M, siç ka thënë Bërklaç, ka qenë për pesë muaj në paraburgim nën dyshimin për dy vepra penale, përfshirë pjesëmarrje në rastin e vrasjes së Ivanoviqit.
"Ka qenë i dyshuar si i përfshirë në rastin e Oliver Ivanoviqit dhe si pjesëmarrës i grupit të krimit të organizuar. Masa e sigurisë i është zëvendësuar masë të lajmërimit në polici dy herë në javë", ka thënë Bërklaç për KOHËN.
M.M. është edhe nën sanksione amerikane, bashkë me 11 persona të tjerë, përfshirë biznesmenin e përfolur për lidhje me krimin, Zvonko Veselinoviqin dhe nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiqin. Sanksionet e Thesarit të Shteteve të Bashkuara nënkuptojnë se atyre u ndalohet hyrja në SHBA dhe se nuk mund të bëjnë shkëmbime tregtare me kompanitë amerikane. M. M. u arrestua më 20 tetor të 2022-tës në Leposaviq, kur prokuroria njoftoi se u arrestua nën dyshime për vrasjen e Ivanoviqit.
Lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, para Gjykatës Themelore në Prishtinë po zhvillohet proces gjyqësor ndaj 5 ish-policëve, me inicialet N.S., M.R., D.M, Zh.J. e R.B., si dhe ndaj një ish-zyrtareje të subjektit politik të Ivanoviqit, me inicialet S.A. M.M nuk përmendet në aktakuzën e ngritur në nëntor të 2020-tës, që është aktakuza e tretë e ngritur lidhur me këtë rast.
KOHA ka provuar të kontaktojë me Prokurorinë Speciale dhe Gjykatën Themelore në Prishtinë në lidhje me zëvendësimin e masës së sigurisë të M.M., por ende nuk ka marrë përgjigje.