Kronikë

Të akuzuarve në rastin Ivanoviq u ndërpriten të gjitha masat e sigurisë

Foto: Koha

Musa Damati, avokat i të akuzuarës në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, Silvana Arsoviq, ka deklaruar se të gjithë të akuzuarve në këtë rast u janë ndërprerë të gjitha masat e sigurisë.

Në një deklaratë për KOHËN Damati ka thënë se ata janë liruar në procedurë të rregullt deri në shpalljen e aktgjykimit për këtë rast.

Sipas tij këtë me një vendim të veçantë e ka vendosur Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të mërkurën.

“Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë me aktvendimin e tij ka konsideruar se janë konsumuar shkaqet mbi bazën e të cilave të akuzuarit kanë qëndruar për afro 4 vite nën masat e sigurisë së prezencës në procedurë, dhe të njëjtit tani janë liruar në procedurë të rregullt deri në përfundimin dhe marrjen e aktgjykimit lidhur me këtë rast”, ka theksuar Damati.

Të akuzuarit deri në nëntor të vitit të kaluar kanë qenë nën masën e arrestit shtëpiak, ndërsa nga ajo kohë e deri të mërkurën kanë qenë nën masën e lajmërimit në stacion policor.

Damati ka deklaruar se ky rast është karakterizuar me ndërlikime, sipas tij, të paprecedenta gjatë shqyrtimit. Ai ka thënë se një numër i dëshmitarëve të mbrojtur, “kanë deklaruar se janë kërcënuar me jetë ata dhe familjarët e tyre në rast së dëshmojnë në këtë proces gjyqësor”.

Të dyshuar kryesorë për organizimin e vrasjes së Ivanoviqit janë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, biznesmeni i përfolur për lidhje me krimin Zvonko Veselinoviq, si dhe ish-shefi i Policisë për veri, Zheljko Bojiq.

Në aktakuzën për rastin e Ivanoviqit, tashmë po gjykohen Silvana Arsoviq, Marko Roshiq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, Zharko Jovanoviq e Dragisha Markoviq.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, para zyrës së partisë që udhëhiqte në Mitrovicë të Veriut.

Aktvendimin për ndërprerjen e masave të sigurisë ndaj të akuzuarve e ka konfirmuar edhe Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Ndërpritet masa e paraqitjes në stacion policor, ndaj të akuzuarve të lartë - theksuar, respektivisht ndaj të akuzuarve: N. S.; M. R.; R. B.; S. A.; D. M. DHE ZH. J.”, thuhet në vendim.