Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe një person të nacionalitetit serb për vrasjen e ish-politikanit Oliver Ivanoviq.
M.M. është arrestuar në mbrëmjen e të mërkurës.
“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri M.M., dyshohet si anëtar i grupit kriminal të organizuar ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale ‘’Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’ nga neni 283 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale ‘’Vrasje e rëndë’’ sipas nenit 179 paragrafi 1.9, të KPRK-së, në vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, së bashku edhe me të akuzuarit e tjerë N.S., M.R., R.B dhe S.A., ku për të cilët është duke vazhduar gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu thuhet se i dyshuari nga viti 2019, ka qenë në kërkim nga organet e rendit, pasi ka pasur urdhërarrest në fuqi.
“Ndaj të njëjtit do të vazhdohet me procedurat sipas Kodit të Procedurës Penale, ku brenda afateve ligjore do të bëhet edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në mënyrë që procedura penale të vazhdojë pa pengesa”, thuhet në njoftim.