Gjykata e Apelit i ka liruar nga paraburgimi 5 policët e përfshirë në rastin e vdekjes së të riut në Lipjan Agon Zejnullahut.
Policëve që dyshohen për “vrasje nga pakujdesia”, sipas Urim Vokshit, që është avokat i njërit prej tyre, nuk u është caktuar asnjë masë e sigurisë.
Ai në një përgjigje për KOHËN ka thënë se policët kanë qëndruar në paraburgim 25 ditë.
Gjykata Themelore më 29 korrik pesë policëve u kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Vendimi i Themelores ishte anuluar nga Apeli më 21 korrik dhe rasti ishte kthyer në rivendosje.
Më 23 korrik Themelorja sërish kishte marr vendim për paraburgim.
Pesë zyrtarët policorë, Prokuroria i akuzon se nga pakujdesia e kanë vrarë 27-vjeçarin Zejnullahu gjatë arrestimit të tij në orët e para të së hënës së 7 korrikut.
Policët fillimisht u patën suspenduar nga detyra e më pas edhe janë arrestuar me urdhër të prokurorit.
Video të xhiruara nga momenti i arrestimit të Zejnullahut janë publikuar në media, duke nxitur reagim të shumta. Familjarë të të ndjerit kanë akuzuar Policinë se me ushtrimin e tepruar të dhunës çuan në vdekjen e tij.
Reagime pati edhe nga përfaqësues institucionalë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilët kërkuan hetim të shpejtë e të drejtë lidhur me rastin.