Pesë zyrtarëve policorë, të dyshuar se e shkaktuan vdekjen e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, gjatë arrestimit të tij në Lipjan u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Në seancën e caktimit të masës, që u zhvillua nën masa të rrepta sigurie në degën në Lipjan të Gjykatës Themelore të Prishtinës, nuk u lejua prania e përfaqësuesit ligjor të familjes së të ndjerit. E për ndriçimin e rastit, hetimet po zhvillohen në disa nivele, përfshirë edhe në Institucionin e Avokatit të Popullit.
U është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh pesë zyrtarëve policorë të arrestuar të hënën nën dyshimin se gjatë arrestimit e kanë shkaktuar vdekjen e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, në Lipjan.
Seanca dëgjimore u mbajt në Degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Lipjan, ku policët e arrestuar janë sjellë nën masa të larta sigurie, të shoqëruar nga zyrtarë të Inspektoratit Policor.
Në Gjykatë njoftuan se masa ndaj zyrtarëve policorë u caktua shkaku i dyshimit të bazuar se ata e kanë kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë fazë të procedurës dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Para nisjes së seancës, avokati i angazhuar nga familja Zejnulahu, Asdren Hoxha, tha se atyre nuk u është lejuar pjesëmarrja në seancë, si palë e dëmtuar.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake më refuzoi të marr pjesë në seancë dhe të mbetem i informuar si përfaqësues i palës së dëmtuar. Unë kërkova sqarime dhe insistova, por qasja qe e tillë që nuk duhet të marr pjesë. Kodi i procedurës penale nuk e parasheh shprehimisht prezencën e palës së dëmtuar në caktimin e masës së sigurisë, por ka qenë e drejtë që të ketë një qasje dinjitoze pala e dëmtuar”, theksoi Hoxha.
E pas seancës, teksa palët po e prisnin vendimin e Gjykatës, avokati Besnik Berisha, i cili e përfaqëson njërin nga policët e dyshuar, tha se nuk ekzistojnë arsye të vlefshme ligjore për paraburgimin e policëve.
“Sot u kërkua masa e paraburgimit vetëm për një arsye, sepse raportet janë të acaruara mes palës së dëmtuar dhe zyrtarëve policorë të arrestuar. Kjo në vetvete nuk përbën shkak ligjor, kjo në fakt është alarm për sigurinë në vendin tonë, sepse po i bie që kushdo që ka telashe me drejtësinë, ose është në pritje të drejtësisë dhe kushdo që policia për një arsye ose tjetër i ka shkaktuar një të keqe pa u konstatuar nga gjykata duhet të qohet në paraburgim”, tha Berisha.
Pesë zyrtarët policorë, Prokuroria i akuzon se nga pakujdesia e kanë vrarë 27-vjeçarin Zejnullahu gjatë arrestimit të tij në orët e para të së hënës.
Policët fillimisht janë suspenduar nga detyra e më pas edhe janë arrestuar me urdhër të prokurorit.
Video të xhiruara nga momenti i arrestimit të Zejnullahut janë publikuar në media, duke nxitur reagim të shumta. Familjarë të të ndjerit kanë akuzuar Policinë se me ushtrimin e tepruar të dhunës çuan në vdekjen e tij.
Reagime pati edhe nga përfaqësues institucionalë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilët kërkuan hetim të shpejtë e të drejtë lidhur me rastin.
E Institucioni i Avokatit të Popullit njoftoi të martën se ka hapur hetim lidhur me rastin, për të parë nëse janë shkelur të drejtat e njeriut gjatë arrestimit të 27-vjeçarit.
Pas vdekjes, trupi i Zejnullahut është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Raporti i autopsisë pritet që t’i sqarojë rrethanat e vdekjes së tij.