Tri murgeshave austriake në të 80-at, të cilat ikën nga shtëpia e të moshuarve ku ishin vendosur, u është thënë se mund të qëndrojnë në manastirin e tyre të mëparshëm deri në njoftim të mëvonshëm. Megjithatë, autoritetet kishtare thonë se ato mund të qëndrojnë vetëm nëse ndalojnë përdorimin e rrjeteve sociale.
Murgeshat janë: Bernadette, 88 vjeçe, Regina, 86 vjeçe dhe Rita, 82 vjeçe. Ato janë tri murgeshat e fundit në manastirin Kloster Goldenstein në Elsbethen, pranë Salzburgut.
Murgeshat thonë se u larguan nga manastiri kundër vullnetit të tyre në dhjetor të vitit 2023. Në shtator sivjet, ato u kthyen në manastir me ndihmën e ish-nxënësve, duke zemëruar zyrtarët e Kishës.
Mbikëqyrësi i tyre Markus Grasl nga Reichersbergu, u ka bërë thirrje të kthehen në shtëpinë e të moshuarve, duke thënë se vendimi i tyre për t’u kthyer në manastir ishte krejtësisht i pakuptueshëm.
Historia e murgeshave pastaj nxiti interesim nga e gjithë bota. Mbështetësit iu ofruan ushqim, energji elektrike dhe ndihmë për rrjetet sociale, duke postuar video të jetës së përditshme të murgeshave.
Këto video tregojnë murgeshat gjatë lutjes ose drekës, përfshirë edhe ushtrimet e Ritës që së fundmi, mori dhuratë edhe një palë doreza boksi.
Murgeshat e Goldensteinit kanë fituar pothuajse 100.000 ndjekës në Instagram dhe disa mijëra në Facebook.
Tani, pas pothuajse tre muajsh qëndrimi në manastir, një zëdhënës i Graslit, Harald Schiffl, i ka thënë Agjencisë Austriane të Lajmeve (APA) se murgeshat mund të qëndrojnë për momentin. Kjo pas një takimi këtë javë, ku u propozua një zgjidhje për këtë situatë.
Murgeshat mund të qëndrojnë në Kloster Goldenstein, ka thënë Harald Schiffl për APA, por vetëm në disa kushte: Ato duhet të ndalojnë aktivitetet në rrjetet sociale, të sigurojnë që pjesa e brendshme e manastirit të mos jetë e hapur për njerëz që nuk janë pjesë e rregullit dhe në këmbim, ato do të mund të qëndrojnë dhe të marrin kujdes mjekësor dhe mbështetje shpirtërore nga një prift.
Murgeshat ende nuk i kanë pranuar kushtet.
“Tani është vendimi i motrave”, tha Harald Schiffl për APA.
Tri murgeshat kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre në Schloss Goldenstein, një kështjellë që është manastir dhe shkollë private për vajza që nga viti 1877.
Shkolla, që filloi të pranojë edhe djem në 2017, ende funksionon.
Bernadette e ndoqi shkollën si adoleshente, duke filluar në 1948. Një nga shoqet e saj ishte aktorja austriake Romy Schneider, një nga yjet më të mëdhenj të filmit në vitet ‘60 dhe ‘70.
Regina u vendos në manastir më 1958 dhe Rita më 1962.
Të tri murgeshat punuan si mësuese në shkollë për shumë vite. Regina ishte drejtoreshë. Por numri i murgeshave u zvogëlua. Në 2022, ndërtesa u mor nga Arkidioqeza e Salzburgut dhe Abacia Reicherberg, një manastir augustinian.
Murgeshat e mbetura morën të drejtën për të qëndruar për jetë, për sa kohë që shëndeti dhe kapaciteti i tyre mendor e lejonin.
Në dhjetor 2023, u vendos që ato të transferoheshin në një shtëpi për të moshuarit, por u shprehën se nuk janë të lumtura.
Në fillim të shtatorit, Bernadette, Rita dhe Regina u kthyen në manastir me ndihmën e disa ish-nxënësve.
Murgeshat thanë për BBC-në se ishin të vendosura të qëndronin.