Futboll

Drita kontribuon në rritjen e futbollit kosovar

Drita

Pamje nga ndeshja Drita - Shkëndija

Me fitoren 1:0 ndaj Shkëndijës së Tetovës të enjten mbrëma në ndeshjen festive në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Drita ka bërë hap të madh drejt fazës nokaut të Ligës së Konferencës. Golin e fitores ndaj “kuqezinjve” të Tetovës e realizoi Arb Manaj, në minutën e 20-të. 

Paraqitja e Dritës ka kontribuuar edhe në rritjen e futbollit kosovar në renditjen e UEFA-s. 

“Si rezultat i kësaj fitoreje, Kosova është ngjitur për dy pozita dhe tani zë vendin e 35-të në ranglistën e UEFA-s, duke vazhduar trendin pozitiv të rritjes së koeficientit të kampionatit tonë. Ky progres është dëshmi e punës së shkëlqyeshme të klubeve tona dhe e përkushtimit të vazhdueshëm të FFK-së për të ngritur nivelin e futbollit kosovar. Të vazhdojmë së bashku drejt arritjeve edhe më të mëdha!”, ka shkruar FFK-ja të premten. 

Drita me tetë pikë zë vendin e tetë dhe tani është në zonën që dërgon direkt në 1/8 e finales së garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia. 

Deri në fund të kampanjës, gjilanasit do t’i kenë edhe dy ndeshje për t’i zhvilluar. 

Më 11 dhjetor e presin skuadrën e njohur holandeze, AZ Alkmaar, ndërsa stinori i rregullt i Ligës së Konferencës për Dritën mbyllet me ndeshjen në udhëtim te Rayo Vallecano spanjolle më 18 dhjetor.